Ministri Gashi cakton vlerën financiare të poentimit për federatat, sportistët dhe trajnerët

Në vazhdën e konkretizimit të legjislacionit për sportin dhe financimin e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot dy vendime.

Me njërin vendim caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D, thuhet në njoftimin e MKRS.

Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3250 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 1650 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1500 euro, për grupin C vlera e pikës është 1100 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.

Ndërkaq, me vendimin tjetër caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Për sportistët vlera e pikës është në shumë e 120 euro po aq sa është edhe prej trajnerët.

Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.

Ministri Gashi u shpreh se vendimet që ka nënshkruar për caktimin e vlerave financiare mund të konsiderohen si një lloj formule se si do të përkrahen federatat e sportit në vendin tonë.

“Me vendimet e nënshkruara është vënë baza se si dhe sa do të financohen nga shteti federatat e sportit në Republikën e Kosovës. Konsideroj se kategorizimi dhe përcaktimi i vlerës financiare për poentimin e një pike, do të jenë motivim që federatat të punojnë edhe më shumë në zhvillimin e garave, të fokusohen në rritjen e cilësisë dhe në masivizim”, ka thënë ndër të tjera ministri.

“Mandati dhe përgjegjësia që kemi marrë përsipër për ta udhëhequr Ministrinë e Sportit, me konkretizimin e çështjes së sponsorizimit dhe kategorizimit të sportit dhe sportistëve e trajnerëve, besoj që është një fillim i mbarë, sepse është vlerësuar se do të krijohet efikasitet më i madh në menaxhimin e sportit në vendin tonë”, tha ministri Gashi, duke potencuar se vendimet e nënshkruara janë edhe një lloj mirënjohjeje për ata që punojnë e angazhohen në arritjen e rezultateve në sport dhe duke përfaqësuar dhe promovuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare.