Milot Rashica-Besa e Pejës, e pabesueshme por e vërtetë

Besa e Pejës në sezonin 2015/2016 në Superligën e Kosovës në futboll nuk e ka pësuar asnjë humbje para shikuesve të vet në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’.

Në 17 ndeshje që i kanë luajtur pejanët kanë arritur 13 fitore dhe 4 barazime.

Humbjen e fundit Besa në Pejë e ka pësuar me 9 maj 2015, në kuadër të sezonit 2014/15, takim i vlefshëm për javën e 27-të.

Vushtrria kishte arritur ta mposhtë Besën në ‘Shahin Haxhiislami’ me rezultat 3:2, shkruan Infokusi.com.

Ishte pikërisht talenti i madh, Milot Rashica që kishte shënuar një gol, kishte fituar një penallti dhe kishte asistuar njëherë.

Me depërtimet e tij, ishte i pandalshëm për mbrojtjen pejane dhe ishte lojtari më i mirë i atij takimi.

Në atë kohë, Rashica luante për Vushtrrinë (Ish – Llamkos Kosova) dhe sezonin 2014/2015 ishte i fundit për të në fanellën e skuadrës së tij të zemrës, pasi që nga 1 korriku 2015, ai u bë pjesë e Vitesses në Holandë ku shkëlqeu në sezonin e parë, duke shënuar 8 gola.