Meta: Shqipëria, kurrë në Europian pa futbollistët e tifozët nga Kosova

Presidenti Ilir Meta ka qenë sot në Kosovë, ku ka dhënë një intervistë të gjatë në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini. Përtej politikës, mjaft interesante ka qenë një pjesë ku Meta është ngacmuar për futbollin, në veçanti për kombëtaren shqiptare dhe atë të Kosovës.

Meta ka pasur një falënderim të veçantë për futbollistët dhe tifozët nga Kosova, pa të cilët sipas tij, Shqipëria nuk do të ishte kualifikuar kurrë në Euro 2016. Fjalë të sinqerta, që ndoshta shumë njerëz i mendojnë dhe nuk duan t’i thonë.

Ermal Panduri: Zoti President, a e keni parë përfaqësuesen e Kosovës në futboll, i keni përcjellë rezultatet e saja të fundit? Kombëtare e quaj, por po them përfaqësuesja.

Presidenti Meta: Përfaqësuesja, kombëtarja, përfaqësuesja nuk ka rëndësi.

Gazetari: Është kombëtare apo përfaqësuese?

Presidenti Meta: Kombëtarja e Kosovës.

Gazetari: Unë nuk e di si e gjykojnë teleshikuesit por, prej meje je korrekt. Kam dilema por s’po e zgjas më.

Presidenti Meta: Atëherë, për sa i takon futbollit dua t’ju përgëzoj për atë talent të jashtëzakonshëm që ka demonstruar Kosova në këto ndeshjet e fundit me Danimarkën dhe me Bullgarinë që, i kam ndjekur disa momente apo sekuenca edhe duket që perspektiva është e jashtëzakonshme por, dua të siguroj që nuk ka asnjë lloj xhelozie nga ana ime për këtë gjë përkundrazi.

Gazetari: Pyetja e dytë: do ishte më mirë një kombëtare apo dy?

Presidenti Meta: Besoj se i qartë kam qenë, por sidoqoftë kur ne kemi mundësi t’ju përforcojmë juve mund t’i kalojmë disa futbollistë këndej në rast se ju jeni më pranë suksesit.

Gazetari: Deri tani ka ndodhur e kundërta.

Presidenti Meta: Dhe anasjelltas. Ne jemi mirënjohës për atë çështje, ne jemi mirënjohës. Pa futbollistët me origjinë nga Kosova, Shqipëria kurrë nuk do kishte shkuar në Europian, kurrë nuk do të ishte kaq e famshme. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë gjë.

Gazetari: Ministra të Kosovës keni.

Presidenti Meta: Edhe pa tifozët e Kosovës, që ka qenë një mbështetje të jashtëzakonshme.