Messi fiton Këpucën e Artë për herë të tretë radhazi

​Lionel Messi është bërë futbollisti i parë që e fiton Këpucën e Artë të Europës për të tretin sezon rresht.

Sulmuesi i Barcelonës e mbylli kampionatin me 36 gola, shifër që mund të arrihej vetëm nga Kylian Mbappe, por ylli i PSG-së shënoi vetëm një gol të premten në mbrëmje në Reims, në një kohë që i duheshin 4 gola.

Në këtë mënyrë, Messi e fiton Këpucën e Artë për të gjashtën herë në karrierë, rekord absolut në historinë e futbollit, ndërkohë që edhe vjet, kur e fitoi për herë të pestë, Messi u bë i pari futbollist që e arrinte diçka të tillë, duke kaluar Cristiano Ronaldon.

Më parë vetëm Ally McCoist i Rangers, Thierry Henry i Arsenalit dhe Cristiano Ronaldo i Realit e kanë fituar në dy sezone rresht Këpucën e Artë.

Messi ka shënuar 50 gola në të gjitha kompeticionet dhe sot në finalen e Copa del Rey kundër Sevillas do të mundohet ta rritë këtë shifër.