Mësoni golat më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane

Pasi çdo ndeshje ka rëndësi të madhe në turne të mëdhenj, një start i mirë do të ishte shumë i rëndësishëm.

Mund të ndihmojë të vendosë themelet e një fitoreje, dhe të bëjë kundërshtarin që të ndryshojë strategjinë e lojës.

Sajti “UEFA.com” shikon disa prej golave më të shpejtë në histori të Kampionateve Evropiane në futboll.

Penalltia e shënuar nga Robbie Brady i Irlandës kundër Francës të dielën ishte mjaft e shpejtë, por jo aq e shpejtë sa të thyejë rekordin si goli më i shpejtë i shënuar në Kampionate Evropiane, përcjell Koha Ditore.

Dmitri Kirichenko – një minutë e 7 sekonda (Rusia – Greqia 2:1, 20 qershor 2004)

Dmitri Kirichenko kishte përjetuar një frustrim në Kampionatin Evropian të vitit 2004 në Portugali, pasi kishte parë nga bankina se si Rusia pësoi humbje në dy ndeshjet e para dhe iu shuan shpresat për të shkuar tutje.

Seleksionuesi i Rusisë, Georgi Yartsev vendosi të bëjë ndërrime në ndeshjen e fundit të Grupit A dhe aktivizoi sulmuesin e CSKA Moskës. Ky i fundit shpërtheu pas 67 sekondave lojë duke depërtuar dhe mposhtur Antonios Nikopolidisin. Partneri i tij i sulmit Dmitri Bulykin shpejt shënoi golin e dytë, ndërsa Zisis Vryzas shënoi golin për 2:1 për Greqinë dy minuta pa mbaruar pjesa e parë, por gol që mjaftoi për Greqinë që të shkojë tutje.

Robbie Brady – dy minuta (Franca – Irlanda, 2:1, 26 qershor 2016)

Kaluan vetëm dy minuta në ndeshjen e 1/8 së finales mes Francës dhe Irlandës kur Robbie Brady shënoi nga penalltia për t’i dhënë irlandezëve epërsinë shokuese. Goli i Bradyt në fund nuk mjaftoi që Irlanda të kalojë në çerekfinale të “Euro 2016″. Irlanda pësoi 2:1 nga nikoqirja Franca. Dy golat për Francën i shënoi në pjesën e dytë Antoine Griezmann.

Sergei Alelnikov – dy minuta e shtatë sekonda (Anglia – Bashkimi Sovjetik 1:3, 18 qershor 1988)

Bashkimit Sovjetik i duhej një fitore për të garantuar kalimin në gjysmëfinale dhe nuk ka mundur të presë një start më të mirë kundër Anglisë. Aleinikov depërtoi në mes dhe arriti të mposhtë portierin Chris Woods.

Tony Adams shënoi golin e barazimit 16 minuta më vonë me një gjuajtje me kokë pas një krosimi nga Glenn Hoddle. Por, me golat e shënuar nga Oleksiy Mykhailychenko dhe Viktor Pasulko, Bashkimi Sovjetik siguroi kualifikimin tutje, ndërsa Anglia u eliminua pa pikë të fituar.

Petr Jiracek – dy minuta e 14 sekonda (Çekia – Greqia 2:1, 12 qershor 2012)

Çekët kishin humbur ndeshjen e parë kundër Rusisë dhe u duhej fitorja në ndeshjen kundër Greqisë. Startin e patën të furishëm. Tomas Hubschman pasoi mes qendërmbrojtësve të Greqisë, duke gjetur Petr Jiracekun që shënoi. Çekia fitoi ndeshjen me shifrat 2:1.

Alan Shearer – dy minuta e 14 sekonda (Gjermania – Anglia 1:1 pen. 6:5, 26 qershor 1996)

Gjysmëfinalja e madhe nisi furishëm. Paul Incet i ishte pritur një gjuajtje me volej nga Andreas Koepke. Nga goditja nga këndi pas atij aksioni Alan Shearer shënoi golin e tij të pestë të turneut, duke realizuar pasi gjuajtje nga këndi e Paul Gascoignet ishte shtyrë drejt tij nga Tony Adams.

Stefan Kuntz barazoi shifrat për Gjermaninë. Gjermania fitoi atë ndeshje pas penalltive, e më pas edhe titullin e Evropës.

Michael Owen – dy minuta e 25 sekonda (Portugalia – Anglia 2:2, pen. 6:5, 24 qershor 2004)

Njëjtë sikur në gjysmëfinale të “Euro 1996″, gjërat rrodhën edhe në çerekfinale të “Euro 2004″ kundër Portugalisë. Aglia nisi furishëm, kur Michael Owen shënoi pas një gabimi në mbrojtje të portugezëve.

Epërsia e Anglisë qëndroi 80 minuta, para se Helder Postiga të barazonte dhe të çonte ndeshjen në shtesa. Në shtesë shënuan edhe nga një gol të dy skuadrat, ndërsa Portugalia kaloi në gjysmëfinale pas penalltive.

Hristo Stoichkov – dy minuta e 27 sekonda (Bullgaria – Rumania 1:0, 13 qershor 1996)

Rumania u bë ekipi i parë që u eliminua nga Euro 1996, duke marrë goditje përfundimtare nga një magji e hershme. Derisa tifozëria në “St. James Park” ende nuk ishte ulur mirë, Hristo Stoichkov pranoi një top, shfrytëzoi avantazhin e rrëshqitjes së Miodgrad Belodediqit, për të depërtuar mes një hapësire në mbrojtje.

Ai krijoi një metër ekstra epërsi me një lëvizje mashtruese para se të mposhtte me të majtën portierin Bogdan Stelea.