Mësoi nga dështimi i sezonit të kaluar, Mezani e nis fuqishëm edicionin e ri: A do t’ia sjellë Gjilanit titullin e parë në histori të klubit?

Ndryshe prej edicionit të kaluar, me barazime pafund e me përfundim në barazh, Gentjan Mezani e ka nisur në mënyrë krejt tjetër këtë sezon në Superligë.

Trajneri vlonjat ka marrë mësimet e duhura nga dështimi në sezonin e kaluar, që duket se i ka shërbyer shumë për të kuptuar e njohur në përgjithësi më mirë futbollin kosovar, përcjellë Gazeta Olle.

Megjithatë, durimi i kryetarit të klubit Florim Zuka dhe “dhuratat e verës”, ia kanë mundësuar Mezanit një rehabilitim të suksesshëm, që ka nisur t’i sjellë frytet e veta.

6 fitoret në 9 xhirot e para, janë një sinjal për rivalët që ky Gjilan, i ndërtuar me investimin marramendës të Zukës, mund të ndjekë titullin dhe daljen në Evropë deri në fund.

Trepikëshi ndaj Dukagjinit i jep edhe më shumë frymëmarrje ekipit, që paraprakisht para sfidës ndaj Flamurtarit kishte pësuar dy humbje nga dy rivalët për kreun, nga Prishtina e Drita.

“Ne marrim ndeshjet një nga një dhe mundohemi të gabojmë sa më pak për të mos e humbur ritmin”, deklaroi Mezani pas sfidës ndaj Dukagjinit.

“Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje deri në fund”.

“Reagimi i ekipit pas dy humbjeve radhazi është shumë i mirë dhe kjo tregon forcën dhe karakterin e skuadrës”, shtoi ai. /Gazeta Olle/