Mesfushori kosovar largohet në janar nga Kukësi

Kukësi do të humbasë shërbimet e një prej elementëve më cilësorë në përbërjen e tij, një futbollist i cili është kthyer në një titullar të paprekshëm gjatë vitit të fundit. Vesel Limaj do të largohet në janar nga verilindorët, duke mbyllur bashkëpunimin që zgjat prej verës së vitit 2018 me këtë klub.

VIP Sport ka mësuar së kontrata e Limajt përfundon në muajin janar dhe në rastin konkret, nuk do të rinovohet automatikisht ashtu siç ka ndodhur shpesh me futbollistë të tjerë në radhët e këtij klubi. Në fakt, ekziston një klauzolë rinovimi për dy sezone të tjera me opsion të klubit, por Limaj i ka paraprirë asaj.

Lojtari ka bërë brenda një afati të caktuar kërkesën për të mbyllur përfundimisht kontratën, siç është një nga pikat e klauzolës në marrëveshjen që ka nënshkruar me verilindorët, duke e bërë të pavlefshme mundësinë e rinovimit. Nëse futbollisti nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë, në janar kontrata e tij do të rinovohej për dy vite të tjera nga verilindorët.

Nuk dihet ende nëse Limaj do të vazhdojë të qëndrojë në Superiore apo nëse do të kërkojë të transferohet jashtë. Por për momentin, ai ka hedhur hapin e parë për të mbyllur marrëveshjen me Kukësin. Vetëm kur të shpallet lojtar i lirë, ai do të shqyrtojë ofertat që me siguri nuk do të mungojnë për një mesfushor i cili ka spikatur në elitën e futbollit shqiptar me lojën e tij.