Menaxheri i Milot Rashicës: Vaksina kundër koronavirusit do vijë nga Gjermania

Menaxheri i futbollistit të Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, Altin Lala ka komentuar situatën aktuale me pandemin e koronavirusit, transmeton panoramasport, përcjellë Gazeta Olle.

Altin, si po i kalon këto ditë aty në Gjermani?

Nuk jemi izoluar ende me thënë të drejtën. Pra, akoma mund të lëvizim, sepse këtu nuk kanë nisur ende masat drastike për të mos dalë. Lokalet po reduktojnë aktikvitetin, por ende mund të lëvizim.

A të shqetëson kjo situatë, a të tremb?

Nuk kam frikë të them të drejtën, sepse përgjithësisht ky virus ka pasoja të rënda për personat në moshë të madhe, ose me ndonjë problem shëndetësor. Por ama i shqetësuar jam, sepse kemi të afërm dhe njerëz që i duam, të cilët janë të rrezikuar. Por kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, natyrisht që duhet bërë kujdes për gjithçka. Ndaj kam një apel për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë: bëni kujdes, respektoni rregullat, qëndroni në shtëpi dhe bëni durim. Kështu mbroni veten dhe të afërmit!

Në Itali është emergjencë kombëtare dhe është vendi që ka pësuar goditjen më të rëndë nga koronavirusi. Bashkëshortja juaj është italiane, si e ka përjetuar ajo?

Me shqetësim të madh, të them të drejtën. Gruaja ime ka të afërm atje dhe ndonëse janë në zonën e Kalabrisë, ku nuk ka shumë të prekur, sërish meraku mbetet.

A ka panik në Gjermani?

Jo edhe aq. Gjermanët janë njerëz që kujdesen shumë për shëndetin. Vaksionhen sistematikisht që në shtator, para se të nisë sezoni vjeshtor kur ka më shumë viruse dhe kjo I ndihmnon të kenë më pak problem. Më pak problem madje edhe se italianët. Edhe tani e kanë marrë me qetësi. Kanë kushte, është një vend I zhvilluar ku qytetarët e dinë se qeveria bën gjithçka mundet  në situate të tilla.

Kur mund të vendoset masa e “shtetrrethimit” në Hanover?

Nuk e di, po punë ditësh është…

Si do ia bësh?

Do përpiqem të bëj durim. E vështirë, por nuk kam asnjë zgjidhje tjetër.

Po të ishe ende lojtar, do ta kishe më të vështirë, apo më lehtë.

Më të vështirë padyshim. Nuk e di çdo bëja. Po të më mbyllnin dy javë do hapja ndonjë tunel 100 metër të thellë, se ndryshe nuk mund të rrija dot… (qesh).

Sa e vështirë është për një sportist që të përballojë situate të tilla në pikun e sezonit?

Shumë e vështirë për hir të së vërtetës. Duhet të ruash formën, por ndërkohë të është prishur gjithë regjimi stërvitor. Më keq nuk bëhet në aspektin sportiv, por në të tilla jeta është primare. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër dhe të gjithë duhet të përshatten dhe të bëjnë maksimumin në kushtet që janë.

Më mirë që u shty Europiani, apo mund të veprohej ndryshe?

Më mirë që u shty, natyrisht. Nuk premtonte më koha, sepse ndryshe rrezikoheshin të gjitha kampionatet. Ishte zgjidhja më e logjikshme. Edhe pse sërish do të ketë pasoja.

Pasoja në ç’kuptim?

Kontrata e lojtarëve mbi të gjitha… Do të luhet deri në fund të qershorit, por ka futbollistë që atëherë, ose edhe më herët u skadojnë kontratat. Kam përshtypjen se do të zhvendosen edhe afatet e merkatos. Por ka edhe problem të tjera. Kam vënë re që këtu në Gjermani Liga e futbollit bën mbledhje pothuajse çdo ditë që të gjejë zgjidhje për çdo detaj. Janë shumë të angazhuar dhe besoj do të gjejnë zgjidhjet më të mira. Fundja edhe vaksina kundër Koronavirusit nga Gjermania do vijë.

Çfarë doni të thoni?

Kam lexuar që kompania e presidentit të Hofenhaimit, Ditmar Hop, është drejt përsosjes së vaksinës kundër virusit COVID 19. Kompania e tij “Curavec” po bashkëpunon ngushtë me ministrinë e shëndetësisë në Gjermani dhe besoj shumë shpejt do të jetë në treg.

Pse e urrejnë kaq shumë presidentin e Hofenhaimit në Gjermani?

E vështuirë të shpjegohet, por për mua është një gabim fatal të sulmosh një njeri si ai. Mendoj se ata tifozë që javët e fundit i janë kundërvënë, janë thjeshtë ca injorantë. Nuk iu pëlqen fakti që ai zotëron gjithë aksionet e klubit, por ai e menaxhon mirë klubin. Është njeri korrekt, nuk ka vjedhur asgjë dhe nuk i bie në qafë askujt. Përkundrazi, tani Hop po i bën një shërbim të madh njerzimit. Jam totalisht kundër gjithë sulmit ndaj tij. Për mua është super. Lekët i ka me djersë, ka investuar me korrketësi edhe në sport, por ndoshta ngaqë nuk ka një klub të madh dhe me emër, e sulmojnë për detaje që mua më duken të padrejta.

A do të ketë pasoja në sport kjo situatë?

Po, shumë. Në futboll mbi të gjitha. Në Gjermani minimum i përfitimeve nga biletat është 800 mijë euro dhe maksimumi 2 milionë euro për ndeshje. Le më pastaj për industrinë e marketingut. Do të ketë pasoja edhe në jetën e përditshme të njerëzve. Mijëra biznese, kryesisht bare dhe restorante janë mbyllur ose do të mbyllen për një periudhë relativisht të gjatë. 2-3 javë janë shumë…

Po bizneset tuaja kanë pasur problem gjatë këtyre ditëve?

Jo, marketet tona “Rosman & Lala” kanë qenë të hapura. Edhe në Shqipëri, sepse marketet janë të hapura kudo. Por natyrisht që edhe ato e kanë ndjerë, sepse nuk është më rutina e përditshme. Njerëzit dalin më pak. E megjithatë, deri diku ka shkuar mirë.