Mehmeti: Jemi afër rikthimit, stërvituni dhe mos u ndalni

Pandemia Covid-19 bëri që të anulohen aktivitetet e basketbollit në Kosovë. Megjithatë, trajnerët e basketbollit vazhdimisht kanë përsëritur se lojtarët duhet të stërviten në shtëpi dhe të mos ndalen.

Kështu ka porositur edhe legjenda e basketbollit e Kosovës, Artan Mehmeti.

“Përshëndje basketbollistë, fëmijë dhe ju ndjekës të shkollave të basketbollit në Kosovë.

Unë jam Artan Mehmeti, ish-kampion me disa skuadra në basketbollin e Kosovës.

Siç po e shihni jemi në përfundim të kësaj pandemie, andaj ju ftoj të gjithëve, e sidomos fëmijëve, të kemi edhe pak durim dhe të stërviteni në shtëpi.

Sepse jemi shumë afër rikthimit në palestra, të cilave u kemi munguar gjithashtu”, ishte porosia e Mehmetit, me anë të një video-mesazhi për faqen zyrtare të FBK-së.

Situata me pandeminë Covid-19 ka filluar të përmirësohet në Kosovë dhe klubeve shumë shpejt do t’u lejohen stërvitjet, edhe pse në masa të veçanta të distancës dhe higjienës.