Mediat serbe çmenden për basketbollistin e kosovarizuar

Justin Doellman, aloja e FC Barcelona, ka pranuar të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në basketboll. Kjo u konfirmua dje pas takimit që kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli e patën në Barcelonë me lojtarin.

Lajmin e ka bërë të ditur FBK-ja përmes faqes zyrtare.

Belegu dhe Bilalli ishin mysafirë të kryetarit të FC Barcelona-s, Josep Maria Bartomeu në ndeshjen e dytë të finales së play-off-it të Ligës ACB ndërmjet Barcelonas dhe Real Madridit. Në takim me Doellman-in, Belegu dhe Bilalli i shpjeguan në detaje lojtarit për planet e Kombëtares së Kosovës, rëndësinë e paraqitjes së parë të Kosovës në gara të FIBA-s dhe ambiciet për të ardhmen, raporton Koha.net.

Procesi i natyralizimit të Doellman-it pritet të përfundojë brenda javës së ardhshme. FBK tashmë e ka dorëzuar kërkesën për natyralizim tek Presidenca e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes. Kombëtarja e Kosovës në kualifikime për Eurobasket 2017 do të ballafaqohet me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.

Ky lajm ka bërë bujë të madhe në mediat serbe, të cilat janë “tronditur” me faktin se si Kosova ka arritur të natyralizojë një prej lojtarëve më të mirë evropianë.

“TRONDITËSE: Kosova merr përforcim të paparë nga Barcelona”, “PO, MIRË KENI DËGJUAR: Lojtari i Barcelonës do të luajë për Kosovën”, “A ËSHTË AI NORMAL? Një prej basketbollistëve më të mirë të Evropës luan për Kosovën”, “NGA NA ERDHI KJO? Lojtari i Barcelonës luan për Kosovën”, “E PABESUESHME”, “BOMBË”, janë vetëm disa nga titujt që kanë transmetuar mediat online në Serbi.

serbett 11