Mediat gjermane: Rashica mund të kalojë tek Leipzig

Red Bull Leipzig është klubi i radhës që i është shtuar listës së gjatë të ekipeve që e duan Milot Rashicën

Milot Rashica është dhe do të jetë një ndër emrat më të përmendur në afatin kalimtar të verës në kampionatin gjerman.

Sulmuesi i ‘Dardanëve’ është shtylla e skuadrës së Werder Bremen, por dëshiron të ndërrojë skuadër.

Menaxheri i tij, Altin Lala, ka folur disa herë për largimin e tij, por tashmë ka dalë në skenë një tjetër klub, përveç atyre në Angli dhe Itali.

Red Bull Leipzig tani i kërkon shërbime e sulmuesit 23 vjeçar, pas Dortmundit dhe Aston Villës që janë dy skuadrat për të cilat raportohet se e duan më së shumti Rashicën.

“Prej asaj që ka mësuar Weser-Kurier nga burime të sigurta në udhëheqësin e Werderit, Rashica tani përballet me një kalim milionësh te RB. Diskutimet në mes të atyre që vendosin te Leipzigu dhe menaxhmentit të lojtarit janë të avancuara, sa që një njoftim zyrtar për këtë transferim mund të pritet që në këtë muaj”, ka raportuar gazeta gjermane, Wesser Kurier.

Miloti e njeh shumë mirë Bundesligën, andaj nuk përjashtohet mundësia që të ndërrojë skuadër, por jo edhe ligë.