Më në fund buzëqesh Kaçe

Ndeshjet si spektator në pankinë apo tribunë kanë marrë fund.

Ergys Kaçe është kthyer përsëri sot në fushën e lojës, me skuadrën e PAOK, ku ai ka lënë gjurmë në të kaluarën dhe ku pritet të vijojë karrierën e tij.

Mesfushori i përfaqësueses shqiptare luajti sot në ndeshjen e parë të raundit 1/16 në Kupën e Greqisë, duke ndihmuar PAOK-un të fitonte 2-0 në fushën e Panaitolikos.

Kaçe, i cili nuk kaloi një periudhë aq të lumtur te Viktoria Plzen, e filloi ndeshjen nga pankina, meqë është ende larg formës më të mirë për shkak të javëve pa luajtur në Çeki.

kace2

Por i aktivizuar në minutën e 63 të ndeshjes, ai tregoi vlerat e tij duke shtyrë skuadrën drejt sulmit në kërkim të golave të cilët u shënuan nga Kitsu dhe Atanasiadis në minutat e mbetur të ndeshjes.

Në fund, për futbollistin nuk munguan përshëndetjet si nga pjesëtarët e skuadrës, ashtu edhe nga tifozët e PAOK, të cilët i kërkuan atij fanellën në fund të ndeshjes.

kace3

Me pak fjalë, dukej sikur këto 6 muaj të çuar dëm te Viktoria Plzen janë harruar plotësisht dhe Kaçe do të vazhdojë të mbetet pjesë e PAOK në vazhdim.

Një fakt të tillë e konfirmoi edhe trajneri Vladimir Iviç. “Kaçe është futbollist i yni të cilin e kishim dhënë huazim për 6 muaj, tani u kthye dhe mendoj se mund të na ndihmojë në objektivat që kemi,. Ndaj ne do ta mbajmë këtë futbollist dhe ai do të aktivizohet rregullisht me ne”, konfirmoi trajneri i PAOK-ut pas ndeshjes.

kace4

Duhet theksuar se në minutën e 87-të në ndeshjes, në radhët e Panaitolikos u aktivizua mbrojtësi 18-vjeçar shqiptar Enea Mihaj.