Mbyllet me incident konferenca e Rejas, pengohet dhe rrëzohet tekniku kuqezinjve

Ditën e sotme u mbajt edhe konferenca për shtyp e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja.

Tekniku prezantoi ekipin për dy sfidat e qershorit, ndaj Islandës në transfertë dhe më pas Moldavisë në Elbasan, të cilat do të luhen respektivisht më datat 8 dhe 11.

Sakaq, ndër të tjera italiani shpjegoi edhe lënien jashtë të mbrojtësit Berat Gjimshiti, i cili do t’i duhet të operohet për shkak të problemeve me hernien, ndërsa trajneri shtoi se në Kombëtare do të kërkojë t’i japë vazhdimësi punës së de Biazit por edhe asaj të Panuçit, i cili ishte i pafat me rezultatet.

Mirëpo, në fund teksa konferenca u mbyll, ndodhi një incident i vogël, i cili nuk kaloi pa u vënë re. Tekniku Reja u pengua dhe nuk mundi të shmangte rrëzimin. Megjithatë, trajneri u ngrit menjëherë në këmbë si për të treguar se nuk kishte asgjë dhe ishte thjesht një pengim, ndërsa më pas vazhdoi normalisht bisedën me gazetarët.