Maqedoni – Kosova në qershor, flasin për Gazeta Olle, Tovërlani e Shotani: Këta janë faktorët që do të ndikojnë te futbollistët

Futbolli kosovar, por edhe ai evropian është pezulluar për një kohë pas përhapjes së epidemisë së koronavirusit.

Së fundi, UEFA ka vendosur që kampionatet futbollistike të vazhdojnë deri në fund të muajt qershor, shkruan Gazeta Olle.

Kjo ka bërë që të ketë shtyerje edhe të ndeshjeve të fazës play off në Ligën e Kombeve, ku Kombëtarja e Kosovës kishte ndeshjene 26 marsit ndaj Maqedonisë Veriore në Shkup.

Për këtë temë, gazeta gjatë ditës ka kontaktuar dy trajnerët e njohur kosovar, Afrim Tovërlani dhe Bekim Shotani.

(Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)

 

Tovërlani: Karantina do të ndikojë te dy kombëtaret

Trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani duke komentuar situatën aktuale, dhe pezullimin e ndeshjeve të Kosovës, tha se kjo gjë hipotetikisht mund të jetë paksa në favor.

“Kishim futbollistë që janë kthyer nga lëndimi, por edhe disa të lënduar, dhe situata mund të jetë paksa në favor tonin”, tha fillimisht ‘Toki’.

“Morali i futbollistëve si tani por edhe në kohën kur do të zhvillohet ndeshja do të jetë i njëjtë, kjo vlen edhe për futbollistët kundërshtarë. Gjithsesi, tani për tani primare do të jetë shëndeti i tyre, me shpres që ky virus mos të zgjatë shumë dhe të rikthehemi në normalitet”, shtoi ai.

“Karantina do të ndikojë shumë në formën e futbollistëve dhe do të ketë ramje të theksuara pa marrë parasysh se lojtarët janë profesionistë dhe do të punojnë në mënyra individuale, me programe të ndryshme. Por puna ekipore dhe e dirigjuar nga stafi i trajnerëve nuk mund të zëvendësohet. Gjithsesi, situata është e njëjtë në dy kampet, por të shpresojmë që kur të vjen dita e ndeshjes, të jemi sa më të gatshëm dhe në formë”, përfundoj Tovërlani.

Afrim Toverlani (Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle).

Shotani: Këta do të jenë faktorët që do të ndikojnë te lojtarët

Kurse, ish trajneri i Vushtrrisë gjatë edicionit vjeshtor, Bekim Shotani, tha se ka disa faktor që mund të ndikojë te futbollistët e Kosovës pas gjithë kësaj situate të krijuar.

“Rrethanat janë të njëjta për të gjithë lojtarët, nga dy anët. Por, pyetja qëndron te menaxhimi i këtij pushimi. Nga faktorët kryesor do të jenë, pesha, fjetja, stresi, por edhe rrethanat tjera të mbajtjes së fitnesit por edhe kondicionit me vrapim”, tha fillimisht Shotani.

“Panvarsisht që ishim të motivuar për këtë ndeshje, besoj që ky motiv vetëm do të forcohet te lojtarët tanë pasi me një këmbë mendoj që jemi afër kualifikimit”, shtoi ai.

“Kurse, karantina është një luftë psikologjike, pasi mund të merrë kohë që të dalin në stërvitje me ekip, por shpresojmë në menaxhim sa më të mirë nga radhët tona”, përfundoi Shotani.

Bekim Shotani (Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)

Ndeshja, Maqedoni Veriore – Kosova, pritet të zhvillohet gjatë muajt qershor, më saktë afër fundit të këtij muaji.

Fituesi i kësaj ndeshje, siguron një vend në finale të Ligës së Kombeve, ku përballë do ta ketë, Bjellorusinë ose Gjerogjinë, skuadra këto nga ndeshja tjetër gjysmëfinale./V.Ibishi – Gazeta Olle

(Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)