Man Utd, tri përforcime larg titullit

Gary Neville beson se Manchester United është tri përforcime larg nga kandidatura për titull në Premierligë.

Skuadra e menaxherit Louis van Gaal gjendet në pozitën e tretë në renditje pas një ecurie pozitive në pjesën e dytë të sezonit.

Van Gaal ka bërë të ditur në mesjavë se United tashmë ka filluar planet e përforcimeve për sezonin e ri.

Dhe, Neville beson se skuadra ka nevojë për tre futbollistë të rinj për të krijuar një bazë me të cilën mund ta synojë titullin.

“Nëse do të më pyesnit tre muaj më parë, do të thosha se United është larg prapa. Tani, nuk është njësoj. Andaj, nëse arrijnë të jenë të suksesshëm gjatë afatit kalimtar të verës, United do të jetë optimist se mund ta rivalizojë Chelsean për titull në edicionin e ardhshëm”, deklaroi Neville për “Daily Mirror”.

“Mendoj se United duhet të vazhdojë përmirësimin e skuadrës në dy ose tri pozita, një qendërmbrojtës, një mesfushor i qendrës dhe një mesfushor i krahut. Po ashtu, është çështje e shitjes së mençur. Nuk pres 209 milionë euro tjera në shpenzime. Nuk mendoj se është e nevojshme”, përfundoi ai.