Man Utd dhe Chelsea në Napoli për Hysajn, klubi italian turpëron skautët anglezë

Paraqitjet e Napolit dhe lojtarëve të saj kanë bërë që shumë klube të kthejnë sytë nga kjo skuadër dhe talentet që ka në përbërje për të përforcuar radhët e tyre në edicionin e ardhshëm.

Interesi më i madh është nga Anglia ku thuajse në çdo ndeshje ka skautë të cilët kërkojnë të shohin në veprim Hysajn dhe shokët e tij, për të cilët përflitet prej kohësh se ka një interesim konkret nga klube si Çelsi, Mançester Junajtid apo edhe Everton.

Sipas mediave italiane, një grup skautësh nga Anglia kishte dashur të ndiqte ndeshjen e Napolit ndaj Juventusit në Kupën e Italisë. Siç ndodh rëndom në këto raste, përfaqësuesit e Evertonit, Mançester Junajtid dhe Çelsit i kishin kërkuar klubit që t’u rezervonte vendet në tribunë. Por kur kanë mbërritur në stadium ata kanë zbuluar se Napoli nuk kishte rezervuar për ta.

Të tre përfaqësuesit e klubeve, vendosën të largoheshin nga stadiumi dhe u sistemuan në një hotel pranë impiantit ku kanë ndjekur bashkë takimin. Ndërkohë, sipas mediave italiane, klubi i Evertonit do të bëjë një notë proteste ndaj napolitanëve që thyen një pakt të pashkruar që ekziston mes klubeve në Europë.