Maliqi: Titullin e festojmë në Pejë

Behar Maliqi është më meritori që Feronikeli pritet ta festojë edhe zyrtarisht titullin e kampionit. Mirëpo, për ta bërë këtë atyre u duhet të mos humbin në Pejë me tri gola epërsi. Edhe nëse kjo ndodh, mjafton të marrin një barazim me Prishtinën si vendas në javën e fundit.

Maliqi thotë se takimi i fundit i fituar me Hajvalinë, ku shënoi gol, në fund ishte paksa zhgënjyes, pasi ata kishin nisur të festojnë.

“Ishte pak zhgënjyese për neve, por ne nuk demoralizohemi. I kemi edhe dy ndeshje, besoj që kemi me ia arritur qëllimit të shpallemi kampion. Madje, do të mundohemi që në ndeshjen me Besën ta përfundojmë gjithë punën”, tha Maliqi për GazetaOlle.com.

Sipas tij, nuk do ta lënë festën vetëm për ndeshjen e fundit. “Në ndeshjen e fundit e festojmë tamam, dhe nuk besoj që do të na shtyhet më”, shtoi ai.

Feronikeli udhëton i kompletuar, kurse lajm i mirë është rikthimi i pejanit, Egzon Gashi, nga pezullimi i kartonëve. (Gazeta Olle)