Lutz flet për kohën e kaluar te Peja, tregon edhe një histori interesante

Trajneri kroat i basketbollit, Danijel Lutz ka përkujtuar kohën kur punonte te Peja. Ai kishte drejtuar Pejën gjatë edicionit 2013\14, kur skuadrat kosovare debutuan në Ligën Ballkanike.

Lutz kishte ardhur te Peja pas sukseseve me Cibonën në Kroaci. Thotë se Cibona nuk ia kishte ofruar rastin dhe për këtë kishte vendosur të pranonte ofertën e parë.

“Ishte vendim i klubit dhe unë shpejtë kam përfunduar në Kosovë pasi i kam thënë vetes se do të pranojë ofertën e parë që vjen. Në atë moment është shfaqur inati te unë. Për veten shpesh them se jam sekreti i ruajtur më së miri i basketbollit kroat”, ka thënë Lutz për “crosarka.com”.

Danijel Lutz: Prepoznao sam u igračima pobjednički duh – Večernji.hr

Për periudhën e kaluar te Peja ka dhënë detaje interesante. Lutz ka treguar se vazhdon të përcjellë basketbollin kosovar. Ai thotë se klubet e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesë të lojtarëve vendorë, ndërsa të huajt nuk kanë ndonjë cilësi. Por ka thënë se interesimi për basketboll në Kosovë është i madh.

“Atje është basketbolli si ai që ishte te ne në fillim të luftës. Edhe këtë vit kam përcjellë ligën e tyre dhe pavarësisht se nuk kanë kualitet të lojtarëve vendorë dhe blejnë disa lojtarë të huaj të thjeshtë që ofrojnë atraktivitet, palestrat atje janë të mbushura. Atje ku kam jetuar unë, një kafe ka kushtuar 50 cent. Kur rriten çmimet për 10 cent, njerëzit thjeshtë nuk shkojnë në kafene. Ai është standardi i tyre. Bileta kushton në mes një e dy euro, ndërsa palestrat janë gjithnjë plot. Ajo që është përputhur me kalimin tim në Kosovë është se klubet e saj për herë të parë kanë luajtur jashtë vendit, në Ligën Ballkanike”, ka thënë Lutz për mediumin kroat.

Ka treguar edhe një episod nga një udhëtim në Shkup.

“Një detaj nga ajo ligë është që kur kemi luajtur në Shkup, autobusi ynë është ndalur, ndërsa unë nuk e kam ditur pse. Ndihmësi im më ka thënë, më vjen keq trajner, por duhet të ndalemi në McDonalds. Ata që kanë jetuar në Pejë asnjëherë nuk kanë qenë në McDonalds. Kemi nisur me katër humbje në ligë, por para se të largohem për arsye private, kishim nëntë fitore. Kam pasur 18 fitore në 19 ndeshje në një moment, por për fat të keq më është dashur të largohem”, ka theksuar Danijel Lutz.