Lushtaku shënon në fitoren e Flamurtarit

Flamurtari ka arritur një fitore me rëndësi të jashtëzakonshme kundër Vllaznisë, duke triumfuar 2-0 në një finale të vogël, mes dy skuadrash nën presion të jashtëzakonshëm për shkak të renditjes.

Më herët kishte ardhur lajmi se Bylisi kishte fituar në Laç, ndaj si Flamurtari, ashtu edhe Vllaznia, zbrisnin në fushë dukshëm të tensionuar.

Flamurtari ka cilësi në skuadër dhe kjo u pa në fundin e pjesës së parë, kur një sulm i shpejtë nxorri të vetëm në zonë mesfushorin në superformë Kushtrim Lushtaku, i cili shënoi, ashtu si ndaj Tiranës.

Ishte një gol vendimtar, që çarmatosi Vllazninë, sepse sapo filloi pjesa e dytë erdhi edhe goli i dytë: braziliani Danilo Alvesh fitoi një penallti, që e shënoi kapiteni Telushi.