“Lufta” në FFK, koment epik nga Tovërlani: Politika larg futbollit!

Shkurt, por shumë qartë. Trajneri Afrim Tovërlani ka treguar qëndrimin e tij, pas zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Trajneri prishtinas deklaroi që politika duhet të qëndrojë larg nga sporti, duke lënë të kuptohet që nuk i mbështetë iniciativat për rrëzimin e kryetarit Agim Ademi.

“Unë e them shkurtimisht, politika larg futbollit. Kush nuk e kupton, s’kam çfarë t’i bëjë”, deklaroi Tovërlani për Gazetën Olle.

“Toki” ka analizuar rrjedhën e stinorit vjeshtor të Superligës.

Tovërlani ka folur edhe për ish-skuadrën e tij, Prishtina, që prej vitesh po dështon t’i gëzojë tifozët me titullin kampion.

“Mendoj që Prishtina ka pasur ekip shumë të mirë dhe s’ka pasur shumë ndryshime. Skuadra kishte një edicion të mirë, por me ndryshime të mëdha në formë dhe rezultate”, deklaroi Tovërlani.

“Me pak kujdes më të madh, mund të ishin kampion vjeshtor, por nuk është ende ajo çfarë duan tifozët e saj”.

“Ata duhet t’i analizojnë se çka duhet të bëjnë më mirë. Mirëpo, analizat gjithmonë bëhen duke u nisur nga vetja, e pastaj nga faktorët tjerë”

Sipas tij, Ballkani, kampion vjeshtor, ka qenë befasi vetëm për ata që nuk ia njohin lojtarët.

“Ballkani ka qenë befasi vetëm për ata që se njohin ligën dhe lojtarët, sepse përndryshe Ballkani ka ekip shumë të mire në të gjitha repartet”.

“Do t’i duhet ndonjë përforcim dhe a mund ta mbaj deri në fund nuk varet vetëm nga Ballkani, por edhe nga ekipet tjera se a do të përforcohen dhe a mund të stabilizohen, pasi që asnjë ekip nuk ka pasur ecuri të disa ndeshjeve, duke pasur luhatje gjatë edicionit vjeshtor”, shtoi ai.

Por, kush mund ta rrëzojë Ballkanin sipas “Tokit”?

“Prishtina ka ekip shumë të mirë, po ashtu edhe Drita e ka pasur bishtin e ekipit, por kanë dështuar në ndeshje kur nuk pritej. Gjilani ka pasur ndryshime të mëdha dhe sipas meje nuk e ka gjetur ende formulën e lojës, ani pse ka futbollistë cilësor”, u shpreh ai.

“Me humbjen e Ballkanit në Vushtrri, mendoj që edhe Feronikeli mund të futet në garë nëse arrin të stabilizohet”.

“Mendoj që stabiliteti financiar i ekipit dhe menagjimi i mirë i krizave eventuale, do të jenë determinuese për titull”, theksoi tekniku prishtinas.

Si zhgënjim të vjeshtës, ish trajneri tri herë kampion me Prishtinën dhe një herë me Feronikelin i sheh dy skuadra.

“Si zhgënjyese janë Feronikeli dhe Llapi, kurse befasia mund të jetë 89-shi, pasi nuk ka shpenzuar dhe janë në mesin e artë”.

Kush ishin tre lojtarët më të mirë të vjeshtës sipas tij?

“Mendoj që Blendi Baftiu, Visar Berisha dhe Arb Manaj”, përfundoi Tovërlani.

Mbetet të shihet nëse fituesi i tre titujve të kampionit me Prishtinën dhe i një titulli me Feronikelin, do të angazhohet në ndonjë skuadër në janar. /Gazeta Olle/