Luboteni, kampion i Kosovës në volejboll

Luboteni ka kompletuar het-trikun e trofeve këtë edicion.

Skuadra ferizajase fitoi titullin e kampionit të Kosovës në Superligën e meshkujve në volejboll, pasi mposhti në serinë e finaleve Prishtina Volley me rezultat 3-1, pas 4 ndeshjeve të kësaj serie.

Në takimin e katërt, Luboteni nuk lejoi befasi dhe me shifra të pastra 3:0, shënoi fitore në kryeqytet.

Setin e parë Luboteni e fitoi 25 me 22, ndërsa në të dytin ishte akoma më bindës duke e fituar 25 me 20.

Periudha e tretë e vulosi kampionin e ri, meqë Luboteni e kufizoi Prishtina Volley në vetëm 17 pikë, për ta fituar ndeshjen dhe trofeun e kampionit.

Fitore në ndeshjen e parë kishte shënuar Prishtina Volley, por që më pas ferizajasit renditën tri fitore.
Të dielën, edhe Kastrioti i Ferizajt, fitoi Kupën e Kosovës në hendboll. /Gazeta Olle/