Loret Sadiku: Shqipëria më pengon të luajë me Kombëtaren e Kosovës

Pak kohë më parë, u bë e famshme historia mes Shqipërisë, FIFA-s dhe Loret Sadikut dhe detyrimi i këtij të fundit që të luajë vetëm me ekipin kuqezi. Shkak për këtë detyrim, është bërë ndryshimi i shpeshtë i ekipeve kombëtare ku ka luajtur, duke qenë se është aktivizuar me 21-vjeçarët e Suedisë dhe më pas është grumbulluar me Shqipërinë.

Në mungesë të minutave, ai u aktivizua në një takim mes Kosovës dhe Haitit.

Kështu, Sadiku mund të luajë vetëm për Shqipërinë, por që duket diçka e pamundur duke qenë se nuk ka një marrëdhënie të mirë me stafin kuqezi dhe këtë e ka treguar edhe njëherë në një intervistë për mediat turke.

“Nuk e di ç farë mund të them ne lidhje me këtë problem. Unë dhe ekipet kombëtare, kemi disa probleme me FIFA-n, probleme të çuditshme. Unë zgjodha të luaja për ekipin kombëtar të Suedisë U21, po më pas vendosa të luaja për Shqipërinë. Në një moment historik për Kosovën, kur po luante një ndeshje miqësore para se të njihej nga FIFA dhe UEFA, i thashë trajnerit të Shqipërisë që të luaja te Kosova, por më tha se do të kisha probleme nëse largohesha.

Gjithsesi, unë luajta me Kosovën, por sërish kisha probleme kur erdha te Shqipëria. Dokumentet e mia nuk ishin plotësuar ende, duke qenë se drejtuesit e Suedisë i kishin thënë FIFA-s që nuk mund të luaj për asnjë ekip tjetër. Nga ana tjetër është Kosova që nuk do që të ketë probleme me Shqipërinë. Nuk e di se si do të shkojë kjo punë”, u shpreh Sadiku, raporton VIPSport.al.