Loret Sadiku: Kam rrënjë turku, ndjehem kosovar

Mbrojtësi i skuadrës turke Kasimpasa, Loret Sadiku, në një intervistë të dhënë për mediat turke, ka folur për çështjen e ekipit kombëtar ku ai do të aktivizohet në të ardhmen.

Duke qenë se në prejardhjen e tij ka edhe rrënjë turke, gazetarët e kanë pyetur nëse kishte dëshirë që të vishte fanellën e kombëtares së tyre, por futbollisti u shpreh se e ndjente veten kosovar dhe nuk kishte ndërmend të ndryshonte përfaqësuese.

“Nuk mendoj për të ndryshuar ekipin kombëtar. Më parë kam bërë kalimin nga Suedia te Shqipëria. Më pas fillova të luaj për Kosovën. Të luajturit për Kosovën më jep lumturi dhe krenari”.

“Sigurisht që kam rrënjë turke në prejardhjen time, por unë e ndjej veten kosovar, ndaj nuk besoj se do ta braktis atë fanellë”, ka thënë Loret Sadiku.

Megjithatë problemi i Sadikut qëndron te fakti që FIFA ka refuzuar ta pajisë me lejë për të qenë zyrtarisht pjesë e Kosovës për shkak se ai ka marrë njëherë më parë lejë për të braktisur Suedinë për Shqipërinë.

Edhe pse për FIFA-n mbrojtësi mund të aktivizohet tashmë vetëm me kuqezinjtë, mendja e tij vazhdon të qëndrojë te Kosova.