Loret Sadiku ka ende shpresa për të luajtur për Kosovën

Edhe pse e ka refuzuar FIFA për të luajtur për Kosovën, Loret Sadiku, ka ende shpresa për të veshur fanellën e Përfaqësueses tonë në ndeshje zyrtare.

Lojtari i Kasimpasas në Turqi, më parë ka luajtur me grupmoshat e reja të Suedisë, ka një grumbullim me Shqipërinë, dhe më pas ka luajtur në ndeshje miqësore me Kosovën.

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, sqaron situatën.

“Procesi i Loretit është akoma i hapur! Lojtari nëpërmjet avokatit të tij duhet që t’ ia konfirmoj FIFA-s se ai nuk ka nënshkruar asnjëherë kërkesë për të ndërruar reprezentacionin. Loreti e ka thënë disa herë për ne, se ai nuk e ka nënshkruar asnjëherë atë kërkesë për të ndërruar reprezentacionin prej Suedisë te Shqipëria, prandaj tani duhet që ai ta konfirmoj këtë tek FIFA”, tha Shala për Gazetën Olle.

“Kjo është çështje e tij dhe e avokatit të tij, por normalisht që ne jemi pranë tyre dhe të gatshëm ta ndihmojmë këtë proces në çdo formë. Nëse ai arrin të bind FIFA-n se nuk ka nënshkruar asnjëherë një kërkesë të tillë, atëherë ai pa asnjë problem do të ketë të drejtë të luajë prapë për Kosovën. Kjo është një çështje e hapur dhe duhet të presim derisa të përmbyllet ky proces”, shtoi Shala