Lojtarët e Feronikelit nuk i kanë marrë ende paratë e titullit dhe Kupës, ja shumat marramendëse

Feronikeli regjistroi suksesin historik në edicionin e kaluar duke fituar gjithçka që mund ta fitohet në futbollin kosovar dhe duke kaluar rundin parakualifikues në Ligën e Kampionëve.

Për të arritur këtë sukses futbollistët e kësaj skuadre ishin motivuar me ‘premio’ të mëdha nga presidenca e klubit e udhëhequr nga Naser Ramaj, i cili kishte premtuar se do të t’i shpërndante 200 mijë euro në rast suksesi.

Madje, me këtë sukses historik, futbollistët e Feronikelit i’a mbushën arkën klubit me mbi 1 milion e 30 mijë euro falë kalimit në turin parakualifikues të Ligës së Kampionëve dhe pjesëmarrjen në turin e dytë në Ligën e Evropës.

Pas ma shumë se gjashtë muajsh nga suksesi historik i “industrialistëve” futbollistët dhe ish-futbollistët e kësaj skuadre ende nuk i kanë marrë ‘premiot’ e premtuara.

Të kontaktuar nga Gazeta “Sheshi”, futbollistët Arbër Prekazi, Astrit Fazliu dhe Kastriot Rexha kanë konfirmuar lajmin se ende nuk i kanë marrë paratë e premtuara për titullin kampion dhe Kupën e Kosovës, ndërkohë që besojnë se do t’i marrin ato, pasi që besojnë në premtimin e dhënë nga presidenti Ramaj.

“Jo, ende nuk i kemi marrë  disa nga premiot e premtuara. Kemi folur disa herë me kryetarin rreth premiove të cilat i kemi fituar dhe përgjigjja e tij gjithmonë ka qenë që do t’i merrni cent në centë të gjitha paratë sepse asnjëherë në jetë nuk i kam mbetur borgj askujt dhe ju do t’i merrni të gjitha. Edhe unë kam besim se do të na paguhet djersa jonë, pasi që edhe ne kemi dhënë mund të madh për t’i arritur këto suksese të cilat nuk i ka patur asnjë klub në histori. Thjesht dua të bsoj në premtimin e kryetarit Rama se pagesa do të na kryhet”, deklaroi Astrit Fazliu për Gazetën “Sheshi”.

Rexha: 10.000 euro i kam vetëm për titullin

Edhe sulmuesi Kastriot Rexha beson se shumë shpejtë do ti marrin paratë e premtuara nga drejtuesit e klubit.

“Është e vërtetë që ende nuk i kemi marrë paratë e ‘premiove’. Por, unë besoj që shumë shpejtë do ti marrim ato, pasi që kryetari Ramaj është një njeri shumë serioz dhe shumë korrekt. Kemi biseduar me të dhe na është thënë që do marrim paratë të cilat na ka premtuar. Unë i kam të cekura në kontratë se në rast të fitimit të titullit do t’i marrë 10,000 euro dhe disa të tjera gjatë kampionatit. Të gjitha janë të cekura në kontratë. Më është dhënë premtimi që ky obligim do të më kryhet gjatë muajit shkurt”, deklaroi sulmuesi aktual i Dritës.

Prekazi: I besuam fjalëve të presidentit

Megjithëse ka futbollistë të cilët nuk i kanë patur të cekura në kontratë paratë e titullit dhe Kupës së Kosovës, ata synojnë ti marrin ato, pasi që marrëveshja është bërë nën besim për fjalët e Ramajt, i cili ka qenë ai që ka kërkuar vetë këtë gjë.

“Nuk i kemi cekur shifrat në kontratë, pasi që kemi patur besim te kryetari dhe njëherit ai ka kërkuar nga ne që mos të dyshojmë në një gjë të tillë. Ai ka thënë që do të jetë më mirë të mos cekim para në kontrata, duke thënë: “Ju bjen më mire nëse ma leni vetë mua këtë punë”. Personalisht unë nuk kam menduar dy herë dhe e kam lënë në dorën e kryetarit. Bashkë kemi sakrifikuar, punuar dhe kemi derdhur shumë djersë për t’i fituar ato para. Megjithatë, unë prap nuk dua të dyshoj, pasi që besoj në korrektësinë e kryetarit Naser Ramaj që do t’i marrim paratë të cilat na janë premtuar”, deklaroi Arbër Prekazi.

Ramaj: Premiot do të shpërndahen sipas kontratave

Ndërkohë, Gazeta “Sheshi” ka kontaktuar edhe me presidentin e Klubit Futbollistik “Feronikeli”, Naser Ramajn, i cili ka deklaruar se të gjithë futbollistët do ti marrin premiot e tyre, ashtu siç i kanë të rregulluar në kontratat e tyre.

“Premiot janë të rregulluara me kontratë dhe të ju them të drejten nuk e di se cili nga futbollistët i ka, e cili nuk i ka. Unë jam në udhëtim dhe nuk i kam me vete kontratat e futbollistëve, por ata të cilët i kanë do t’i marrin. Po ashtu, futbollistët i kanë marrë edhe premiot e Evropës, kjo është e gjitha”, deklaroi Ramaj.

I pari i Feronikelit kishte deklaruar publikisht pas ndeshjes së fundit kampionale të edicionit të kaluar ndaj Prishtinës për shumën të cilën do ta merrnin futbollistët pas këtij suksesi.

Sikurse Fazliu, Prekazi dhe Rexha tashmë nuk janë pjesë e Feronikelit, por kontributi i tyre i dhënë te Feronikeli pritet që të shpaguhet.

Gazeta “Sheshi” merr vesh që futbollistët janë në pritje të ‘premiove’ deri mbi 12 mijë euro, secili për konto të vetë.

Për titullin kampion ishin premtuar 5.000 euro për çdo futbollistë. Për Kupën e Kosovës nga 1.000 euro, si dhe mbi 6.000 euro bonuse për çdo pikë të mbledhur në kampionat.

Futbollistët kanë marrë vetëm 2.700 euro për paraqitjen e tyre në Evropë.