Lojë fjalësh: Cili Sahit Kelmend vizitoi sot FFK’në?

Federata e Futbollit të Kosovës sot pati disa mysafirë të veçantë.

Përmes një njoftimi për media, FFK tregoi se vëllezërit Fadil e Xhevdet Muriqi bashkë me dy legjendat e Prishtinës së artë, Skënder Shëngyli dhe Sahit Kelmendi, kanë vizituar zyret e federatës dhe janë takuar me krerët e saj, shkruan Gazeta Olle.

Por, cili Sahit Kelmendi e vizitoi FFK’në dhe kreun e saj, Agim Ademi, sot? Ai i gjeneratës së artë të Prishtinës duket që jo. Në një reagim dërguar për Olle, familjarët e Kelmendit kanë demantuar këtë njoftim.

“Sahit Kelmendi, legjenda e KF Prishtina demanton që ka qenë prezent në takimin me krerët e FFK’së. Ai njihet si miku më i ngushtë i legjendës së ndjerë, Fadil Vokrri dhe përkrahës i madh i familjes Vokrri.

Është për keqardhje kjo mënyrë e komunikimit nga krerët e FFK’së. I anashkaluar gjatë aktiviteteve të ndryshme rreth Fadil Vokrrit, në të cilët ka qenë i ftuar vetëm nga familja Vokrri, legjenda e Prishtinës ndjen keqardhje për përdorimin që po i bëhet emrit të tij për përfitime të FFK’së.

Ai ka pa pasur ftesë për aktivitetin e ditës së sotme, sikurse edhe për aktivitetet e tjera të FFK’së”, thuhet në reagimin e familjes Kelmendi.

Fadil Vokrri dhe Sahit Kelmendi si futbollistë aktiv

Ndryshe, në paragrafi i parë i njoftimit të FFK’së ishte si më poshtë:

“Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, kanë pritur sot në selinë e FFK-së vëllezërit Fadil e Xhevdet Muriqi. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe dy ish-bashkëlojtarët e tyre të gjeneratës së artë të Prishtinës, Skënder Shengyli dhe Sahit Kelmendi”.

Një tjetër ish-futbollist kosovar mban emrin Sahit Kelmendi, me prejardhje nga Peja, por i cili nuk shquhet si pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës.

Kelmendi i gjeneratës së artë të Prishtinës, që ishte mik i afërt i Vokrrit, është pozicionuar kundër krerëve aktual të FFK’së pas largimit nga federata të djalit të legjendës, Gramoz Vokrri. /Gazeta Olle/

Pamje nga takimi i sotëm në zyret e FFK’së