“Lobimi” i bojkotuesit

Kanë mbetur më pak se dy muaj deri te votimi në UEFA për pranimin e Kosovës, votim se duket që e ka të qartë përfundimin me Kosovën si anëtare të 55-të të UEFA-s, sepse tashmë disa herë zyrtartë e Federatës e kanë thënë se Kosova ka votat e nevojshme për t’ u anëtarësuar.

Megjithatë, në tërë këtë entuziazëm si zakonisht duket se ka edhe veprime që nuk kontribuojnë në këtë vendim e që shpresoj se janë vetëm si pasojë e pamaturisë së njerëzve të caktuar (sepse nuk dëshiroj t’ i kuptoj si qëllimkëqija).

I tillë dhe asesi ndryshe duket edhe veprimi i njërit prej zyrtarëve të KF Prishtinës, i cili për vite me radhë ka provuar që t’ i kundërvihet FFK-s në mënyra të ndryshme, duke i bojkotuar edhe Kuvendet, e madje deri në pikën e aktivitetit paralel (kur kishte dërguar një letër në FIFA, letër që gjithësesi kishte përfunduar në shportat e mbeturinave). Tashme çasja paska ndryshuar për 180 shkallë dhe ky zyrtar po angazhohet kaq shumë e dashamirësisht për futbollin e Kosovës, sa që i paska siguruar FFK-s votën e Kazakistanit!

I pakuptueshëm ky veprim deri në pikën sa të na vëjë në dyshim nëse është bërë vërtetë nga papjekuria apo me ndonjë qëllim në prapavijë, qëllim që ne këtë kohë do të shkonte vetëm në të mirë të atyre që nuk e duan pranimin e FFK-s. Apo mbase dikush po harron që zgjedhjet në FFK kanë përfunduar dhe tash nuk është koha për fushatë e për promovim personal. Lobimin për pranim ata që duhej tashmë e kanë bërë dhe po e bëjnë çdo ditë, pavarësisht se jo me fotografi e me megalomani!

Të tjertë, e sidomos ata që janë nëpër klube nëse vërtetë e duan futbollin e Kosovës, nuk kanë nevojë të brengosen për këto gjëra, mbase është më mirë të merren me situatën në klubet përkatëse dhe të kontribuojnë aty ku u takon, e jo të shfrytëzojnë ahengjet private për vetëpromovim! Por nëse me të vërtetë duan të kontribuojnë, le ta bëjnë atë në mënyrë të qetë e pa shkaktuar bujë, sepse ajo nuk i duhet Kosovës tani.

 

Shkruan: Durim Berisha

(Autori është futbollist shumëvjeçar i elitës në vitet e 90-ta dhe njohës i rrethanave aktual në futbollin e Kosovës)