Llapi transferon edhe një maqedonas (FOTO)

Pas Bujar Idrizit, Llapi ka bërë goditjen e radhës gjatë ditës së sotme. Llapjanët kanë nënshkruar kontratë dyvjeçare me mbrojtësin nga Maqedonia, Nikola Gjorgjievski.

Lajmi është konfirmuar nga sekretari i klubit të Llapit, Muhamet Rexhepi. “Pas bisedave që kemi pasur me menaxherin e lojtarit, i njohur në Maqedoni si Sulltan baba, së fundmi kemi arritur marrëveshje dhe atë e kemi kurorëzuar me nënshkrimin e kontratës për dy vite”, ka theksuar Rexhepi për Gazetën Sheshi.

Gjorgjievski është i lindur në vitin 1995 dhe luan në rolin e mbrojtësit të majtë. Ai ka bërë karrierë në elitën e futbollit maqedonas.

Ndërkohë, Rexhepi ka njoftuar se portugezit të prezantuar ditë më parë te Llapi, Ramos, i është përsëritur një lëndim i mëhershëm dhe është kthyer për në Portugali për tretmane mjekësore dhe i njëjtit nuk do të jetë pjesë e klubit në edicionin e ri.