Llapi e largoi lojtarin nga Shqipëria, ai tregon arsyen

Ditën e djeshme është rikthyer në Shqipëri Albi Çekiçi. Sulmuesi nga Pogradeci, i cili realizoi 17 gola me ekipin mëmë në sezonin 2017/18, tashmë është sërish i lirë.

Ekipi i Llapit në Kosovë e afroi me shumë bujë, por pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare, “bomberi” u rikthye në vendlindje për të pritur ndonjë kontakt të ri për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, situatën për largimin nga skuadra është vetë sulmuesi që e sqaron për “eduasportin.com”, duke treguar se çdo gjë ka qenë në lidhje me pagesat, më saktë me këstin e parë të kontratës që pati nënshkruar për skuadrën që firmosi në muajin qershor.

“E mbylla, u ktheva vetë. Ata nuk u treguan korrekt me mua”, janë këto fjalët e para të shtatlartit Çekiçi, i cili për sajtin tonë vijoi që të shpjegojë shkurtë dhe pastër se ku ka qenë ngërçi dhe si rrodhën ngjarjet deri në largimin përfundimtar të tijin nga Kosova.

“Pata për të marrë paratë që më premtuan kur do të firmosja kontratën, por kaloi një muaj dhe askush nuk u kujtua për atë që kishim rënë dakord. I kujtova disa herë që të më shlyenin, por e pash që ishte e kot. Kështu, prita dhe 3-4 ditë duke vendosur që të largohesha përfundimisht. Tani jam lojtar i lirë dhe do të shoh të ardhmen. Çfarë të bëja?! Nuk ia vlente që të qëndroja më tepër”, thotë në fund Çekiçi.

llapi gramos shala

Ofertat për lojtarin nuk mungojnë, pasi në Kategorinë e Parë çdo skuadër që do ta afronte do ta kishte mendjen e fjetur për sulmin, ndërsa në Superiore kontaktet për të nuk mungojnë.

Megjithatë, brenda javës së ardhshme pritet që të mësohet e ardhmja e tij përfundimtare për sezonin e ri.