Liverpool-Barcelona, Jose Mourinho jep analizën e vitit

Jose Mourinho mendon se çdo meritë për suksesin e sotëm të Liverpulit ndaj Barcelonës duhet t’i jepet Jurgen Klop dhe asaj që ka krijuar te skuadra angleze.

Në analizën e tij të zakonshme për “BeIN Sports”, Mourinho ka folur për duelin epik në “Anfield” dhe e ka cilësuar të papritur, ashtu si kolapsin total të Barcelonës.

“Jo, nuk e prisja. E kam thënë që asgjë nuk është e pamundur, e kam thënë edhe që “Anfield” është një prej vendeve ku e pamundura bëhet e mundur. Por unë duhet të them se që kjo përmbysje ka vetëm një emër: Jurgen. Mendoj se nuk është për taktikë e filozofi, ka të bëjë me zemrën dhe shpirtin. Ai ka krijuar një grup fantastik të bashkuar lojtarësh, ata po përjetonin rrezikun që të përfundonin sezonin pa asgjë dhe tani janë vetëm një hap larg trofeut. Ky është reflektimi i personalitetit të Jurgen, të mos dorëzohesh, shpirti luftarak, të dhurosh gjithçka. Ai nuk qan se i mungon një lojtar, as se luajnë 50-60 ndeshje në sezon, ka të tjerë në kampionate të tjera që e bëjnë këtë. Sot mendoj se gjithçka ka të bëjë më Jurgenin”, tha ai.

Tutje, portugezi shtoi: “Ai është përgjegjësi kryesor për këtë frymë dhe mendoj se ne e dinim që goli i dytë do të krijonte një atmosferë të vështirë për Barcelonën. Por kur sheh një rezultat të tillë, është e qartë që mund të flasësh për kolaps dhe Barcelona pësoi një kolaps total”.

Goli i katërt? Nëse e sheh atë gol te një ndeshje e U14 apo U15 thua “fëmijët po flenë, nuk kanë mentalitetin të luajnë futboll, duhet të mësojnë instinktet e lojës”. Por po flet për lojtarët më të mirë në botë dhe të pësojnë një gol të tillë. Kjo në të vërtetë të tregon se çfarë gjendje psikologjike kanë. E dinim që goli i dytë do ta bënte të vështirë sidomos në atë portë, që është e preferuara e Liverpulit për të mbyllur pjesët e dyta, por Barcelona ka disa nga lojtarët më të mirë në botë, është vendi i saj natyral të luajë në ambiente të tilla çdo sezon. Për mua është e vështirë të shpejtoj e të besoj që skuadra ime të fitojë 3-0 ndeshjen e parë dhe të humbë 4-0 në të dytën. Si mund ta justifikosh këtë? Është shumë e vështirë, do të doja të shihja Valverden duke e shpjeguar por besoj se ai do at ketë ët vështirë ta bëjë një gjë të tillë”, tha Mourinho, raporton VipSport.al.