Lirim Kastrati, një yll në ardhje: Ndaj Turqisë ishte thjeshtë “nivel tjetër”

I shpejtë, dinamik dhe lider i ofanzivës. Lirim Kastrati ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në “Fadil Vokrri” mbrëmë.

Sulmuesi nga Hogoshti ishte futbollisti më i mirë te “Dardanët”, në fitoren e madhe 3:1 ndaj Turqisë, në sfidën e grupmoshës U-21 për kualifikimet në Kampionatin Evropian, përcjellë Gazeta Olle.

Me depërtimet e pandalshme dhe pasimet për shokët, Kastrati ishte “motori” i ekipit të Rafet Prekazit në sulm, duke kënaqur zemrat e mijëra tifozëve të pranishëm në tribuna.

Pas përfundimit të sfidës, komentuesit në faqet e ndryshme në rrjetet sociale e shpallën atë si futbollisti i ndeshjes.

Kastrati u shpreh shumë i lumtur me fitoren.

“Jam shumë i lumtur, i falënderoj djemtë që dhanë gjithçka dhe tifozët. Pasi na zbardhi fytyrën Kosova A, na duhej edhe neve të fitonim”, deklaroi Kastrati mes tjerash.

Ndryshe, kjo ishte fitorja e dytë në dy ndeshjet e para kualifikuese për Kosovën U-21.

Kosova kryeson grupin e saj me 6 pikë. /Gazeta Olle/