Liridon Latifi e ka një mesazh të qartë për Kukësin

Pak ditë përpara ndeshjes vendimtare kundër Kukësit Liridon Latifi ka dalë ditën e sotme në konferencën e zakonshme për mediat. “Ylli” i Skënderbeut këtë sezon i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndeshjen ndaj verilindorëve, por edhe për të ardhmen e tij.

Latifi edhe pak ditë dhe Skënderbeu luan në Kukësfinalen e madhe të sezonit?

Është vërtet një ndeshje finale kjo e së shtunës dhe dimë shumë mirë që luajmë gjithë sezonin në vetëm 90 minuta. Kjo na motivon shumë ne si ekip dhe kemi vetëm një synim në këtë përballje, ta mbyllim me fitore dhe të sigurojmë në këtë mënyrë një tjetër titull kampion.

Në fakt, Skënderbeu në Kukës ka vetëm një fitore historike, ndërkohë që Kukësi ju ka mposhtur plot 5 herë. E vështirë?

Fusha e Kukësit e dinë të gjitha skuadrat e kësaj Superlige që është shumë e vështirë. Nëse ne kemi arritur një fitore deri tani, le t’i bëjmë dy ditën e shtunë. Mos harroni se atë një fitore që kemi arritur në Kukës ka qenë një ndeshje finale edhe ajo dhe edhe kjo e kësaj jave është finale dhe jam i bindur që sërish do ta fitojmë.

Latifi, si mendoni Skënderbeu do të luajë i tërhequr në këtë përballje, apo do të luajë në sulm, pasi nuk ka se ç’farë të humbasë?

Skënderbeu do të bëjë lojën e vet dhe asgjë më shumë se kaq. E vetmja gjë negative për ne është fusha që ka bar sintetik dhe ne jemi një skuadër që luajmë poshtë me topin. Por, pavarësisht kësaj do ja dalim.

Do t’i falnit 11 golat që keni shënuar në këtë sezon, në rast se shënoni një gol vendimtar në Kukës?

Padiskutim që do t’i falja të gjitha golat që kam shënuar, jo për një gol në Kukës, por edhe për një fitore minimale dhe kushdo ta shënojë golin nga ne, vetëm të fitojmë.

Keni folur shumë për këtë ndeshje të së shtunës. Sa shanse ka Skënderbeu dhe sa shanse ka Kukësi për të qenë fitues?

Mendoj që shanset janë 50% me 50%. Gjithmonë një ndeshje e tillë kaq e madhe ka shanse të barabarta. Kush të jetë më i zoti le ta marrë në fushë, por unë e theksova edhe më sipër që mendoj se do të jemi ne ata që do ta tregojmë veten se kush jemi.

Do të keni një stadium të tërë kundër. Mos ndoshta është ky një plus për Kukësin?

Jo aspak, ky është një plus më shumë për Skënderbeun. Kur ke një stadium të tërë kundër sigurisht që kjo të motivon edhe më shumë dhe ky është mentaliteti im dhe i njoh edhe shokët e skuadrës dhe padiskutim që një gjë e tillë do të na motivojë maksimalisht.

Së fundi, cila është dëshira e Latifit në këto dy javë të fundit, pa thënë se është për t’u luajtur edhe finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës?

Për momentin dëshira ime e vetme është të fitojmë në Kukës dhe të jemi vetëm një ndeshje larg trofeut të titullit kampion. Sa për kupën ka kohë të mendojmë dhe as që e kemi në mendje për momentin. Të gjitha bateritë do t’i shkarkojmë vetëm në Kukës.

loading...