Liria zgjedh kapiten Mazrekajn

Se Liria po synon të jetë klub i madh, tregon edhe veprimi i sotëm i futbollistëve, që me propozimin e Bordit reaguan njëzëri, në zgjedhjen e kapitenit të ri. Me tërheqjen e tashmë ish kapitenit, Erdogan Brando, Bordi kishte kërkuar që futbollistët të zgjidhnin kapitenin e ri.

Ishin tre kandidatë. Alban Guci me përvojë, Kushtrim Mazreku e Liridon Fetahaj që ishin nominuar nga Bordi.

Alban Guci, ka kërkuar që të tërhiqet nga ky konkurrim. E kur në garë mbetën Kushtrim Mazreku e Liridon Fetahaj, ky i fundit poashtu u tërhoq, duke bërë që Mazreku të zgjidhet me aklamacion dhe duartrokitje nga bashkëlojtarët.

Ndër të parët që ka uruar, ka qenë pikërisht Alban Guci, që ka bartur edhe ai shiritin e kapitenit. “Mendoj, që propozimi i Bordit ishte i qëlluar, e Kushtrimi më shumë se të gjithë e meriton shiritin. Para së gjithash është shok i mirë dhe sportist i vërtet. Ai, më shumë se të gjithë të tjerët e meriton të jetë kapiten”, ka thënë Guci.

Liridon Fetahaj, që u tërhoq pas Gucit në këtë ‘garë’, tha: “Falënderoj Bordin për besimin. Por, zgjidhja më e mirë është Kushtrimi. Besoj që ai ka me përfaqësuar interesat tona. Është lojtar dhe shok i madh”.

“Marrja e detyrës së kapitenit, nuk është privilegj. Mendoj, që tashmë kam detyrim shtesë karshi kolegëve të mi futbollistë dhe Bordit. Shpresoj që bashkë t’ia dalim dhe sukseset të na përcjellin. I falënderoj bashkëlojtarët për besimin e dhënë’, ka thënë Kushtrim Mazreku.

Zëvendës kapiten do të jetë Liridon Fetahaj.