Liria ndryshon orarin e ndeshjeve, shkaku i tifozëve

Krahas Feronikelit, që pritet të luajë të premten ndeshjet si vendas, një tjetër skuadër e Superligës, Liria, ka bërë kërkesën në Federatën e Futbollit të Kosovës, për të zhvilluar takimet si vendas të dielën.

Sipas drejtuesve të klubit prizrenas, ata paraprakisht kanë bërë një sondazh me tifozët e tyre, të cilët e kanë zgjedhur të dielën, para të shtunës. Liria me përjashtim të gjashtë muajve të fundit, takimet si vendas i luante të shtunën.

“Liria veç ka bërë kërkesën për t’i luajtur të dielën ndeshjet si vendas, sepse të dielen ka më shumë shikues, gjë që u vërtetua edhe në stinorin pranveror”, deklaroi për GazetaOlle.com, Bashkim Kajdomçaj, sekretar i klubit.

“Ka qenë kërkesë e tifozëve. Në fillim të stinorit pranveror të sezonit të kaluar të Ligës së Parë, është bërë sondazhi online, ku shikuesit janë përcaktuar për të dielën, prandaj e kemi bërë këtë kërkesë edhe për ndeshjet e Superligës”, shtoi ai.

Sipas Kajdomçajt, shkaku i bizneseve private, e shtuna në Prizren është bërë ditë pune. Liria u rikthye këtë edicion në Superligë.