Liria mund Gjilanin, kthehet vetëbesimi (RAPORTI)

Më shumë se 1000 shikues kanë ndjekur ndeshjen e javës së XIII-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, ndërmjet Lirisë e Gjilanit.

Ndeshja në tërësi i ka takuar Lirisë, ku futbollistët e saj, fituan me rezultat minimal, por rastet e huqura kanë qenë të shumta. Madje, sikur ‘bardhezinjtë’ të ishin më të efikas, fitorja ka mundur të jetë e thellë. Gjithësesi, rëndësi ka fitorja, që vjen pas shumë barazimeve në ‘Përparim Thaçi’.

Liria, në këtë ndeshje luajti me sistem sulmues, ku edhe erdhën në shprehje shumë raste shënimi. Në pjesën e parë Dardan Rogova, Blendi Memaj e Qëndrim Gashi, patën rast për të shënuar por nga pozitat ideale nuk qëlluan cakun.

Derisa, goli erdhi, kur në kohën shtes (45+) Bari Kera, luajti me dorë në zonë, ndërsa penalltin e realizoi, Florim Berbatovci, 1:0.

Ky gol doli të jetë i fundit në këtë ndeshje, edhe pse koha e 45-s minutëshit tjetër pati edhe më shumë raste. Madje, Berbatovci qëlloi shtyllën, ndërsa Dylazeka dhe përsëri Berbatovci, në dy raste të mira qëlluan mbi portë. Liria luajti me këtë përbërje:Ruxhi, Bytyqi (Gashi), Mazreku, Berisha, Gjeraj, Dylazeka, Mullallari (Islamaj), Memaj (Rexhaj), Rogova, Fetahaj, Bërbatovci.

“Me rëndësi fituam. Thyem akullin. Pas shumë barazimeve arritëm fitore të merituar.Shpresoj që me këtë të kthejmë besimin tek vetja dhe tu kthehemi sukseseve”, ka thënë pas ndeshjes, kapiteni Kushtrim Mazreku.

Ndeshjen me autoritet e ka drejtuar Hajriz Hajdari, që me karton të kuq, pas përfundimit të saj ndëshkoi Kerën, që fyu publikun vendas. Ishte reagimi i zyrtarëve të Lirisë, që qetësuan masën pas këtij gjesti. Liria, të hënën luan me Ferronikelin në Drenas.