Liria mohon vjedhjen e këpucëve të lojtarëve të Llapit

Liria ka mohuar kategorikisht vjedhjen e këpucëve në zhveshtoren e Llapit, gjatë ndeshjes së javës së kaluar mes këtyre dy skuadrave në kategorinë e juniorëve.

Trajneri i ekipit të parë të Llapit, Tahir Batatina, kishte konfirmuar lajmin se në zhveshtoren e klubit në stadiumin e qytetit në Podujevë, u janë marrë këpucët e lojtarëve të tyre seniorë nga juniorëvt e Lirisë.

“Skuadra e parë paisjet e stërvitjeve nuk i bartë, por i lë në klub dhe lojtarët e Lirisë pasi kanë luajtur me U19, i kanë marrë disa paiisje si këpuca të lojës së ekipës së parë. Mendoj se kanë qenë të ri dhe kanë gabuar, por nuk ka qenë diçka serioze, andaj nuk kemi dashur ta bëjmë të madhe këtë gjë”, deklaroi Batatina për GazetaOlle.com.

Ndihmëstrajneri i juniorëve të Lirisë, Erdogan Brando, ka mohuar kategorikisht këtë. Sipas tij, në zhveshtore kanë qenë vetëm një palë këpucë të shqyera dhe ato nuk janë marrë nga asnjëri prej lojtarëve të tij. “Nuk është e vërtetë. Kur kemi mbërri në stadiumin e Llapit, dhe kemi hyrë në zhveshtore, nuk ka pasur asgjë përveç një palë këpucë të shqyera. Aty i kemi lënë, dhe ne nuk kemi nevojë me bërë një gjë të tillë për një palë këpucë 15-20 euro”, thekson i irrituar Brando për GazetaOlle.com.

“2-3 herë i kam pyetur lojtarët dhe ata po ashtu thonë se nuk ka ndodhur kjo. Më ka thirrur edhe një ekonom i klubit të Llapit edhe një lojtar i tyre dhe ua kam sqaruar se nuk ka pasur aty këpucë tjera, përveç një palë të shqyera. Nuk është mirë të bëhen këso shpifje për Lirinë. Ata le ta gjejnë fajtorin te klubi i vetë, e jo te Liria”, shton ai.

Llapi dhe Liria takohen të mërkurën në Prizren, por këtë herë në cilësinë e seniorëve. /Gazeta Olle/