Lindemann zbulon mungesat dhe pikën e fortë të Drenicës

Prishtina nesër takohet me Drenicën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, aty ku ka vendosur t’i luajë takimet si vendas.

Trajneri gjerman i bardhekaltërve, vlerëson lart Drenicën, derisa zbulon pikën e fortë të tyre.

“Në ndeshjen e fundit në Ferizaj kemi luajtur mirë pjesën e dytë, duke dominuar atë dhe kemi qenë ekip më i mirë duke i krijuar dy-tre raste. Kemi mbrojtjen më te mirë në ligë, por në ofensivë ne luajmë si një ekip mesatar dhe për këtë duhet që në ndeshjen me Drenicën të përmirësohemi e të jemi më të mirë. Unë e kam parë nga afër ndeshjen e fundit ndërmjet Trepçës ’89 dhe Drenicës e cila luan kundërzbritje të shpejtë me disa lojtarë. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm, por ne duhet ta tregojmë forcën tonë dhe këtë na e mundëson fusha e mirë e Llapit e cila besoj se na përshtatet”, tha Lindemann për ‘prishtinafc.com’, raporton Gazeta Olle.

“Curri, Kukaj, Januzi, mungojnë por i kemi 25 futbollistë tjerë dhe ata 11-të futbollistë që hyjnë në ndeshje, kanë punuar mirë gjatë tërë javës dhe kjo më bën optimist që do ta japin maksimumin dhe ta fitojmë ndeshjen”, shtoi ai.

Mesfushori Lorik Boshnjaku thekson se Prishtina do t’i kthehet fitores.

“Secila ndeshja ka rëndësinë e njëjtë. Njëjtë sikurse ajo me Ferizajn, ndeshje kjo që ne patëm një ngërç të vogël, por besoj që e kemi tejkaluar. Dhe tani, na pret ndeshja tjetër e rëndësishme me Drenicën ku besoj shumë se jemi maksimalisht të fokusuar që ta kryejmë detyrën duke i marrë tre pikë e pastaj të mendojmë për Trepçën ’89. Pra, fitorja me Drenicën na duhet për kthimin e fitoreve e pastaj për vazhdimin e ritmit të fitoreve. Prishtina e nesërme do të jetë shumë sulmuese dhe më taktike”, deklaroi Boshnjaku.