Lila i pafat

Labirinti pa dalje ku është zhytur në muajt e fundit klubi i Parmës ka shtuar edhe dyshimet për sa i përket të ardhmes së mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Andi Lila, që u bashkua me Parmën në janar të këtij viti.
Që nga nëntori nuk flitet për pagesa, ndërsa klubi kaloi nga pronësia e Girardit, në duart e Rezart Taçit, por edhe ky i fundit nuk duroi shumë dhe pas një muaji vendosi t’ia shiste klubin Xhampiero Manentit.

Parma nuk ka më para as që të paguajë rojet e sigurisë në stadium dhe për këtë arsye rrezikon që t’i humbasë të gjitha takimet në tavolinë 3-0, nga këtu deri në fund të sezonit.
Nga kjo situatë, pritet të kushtëzohet dhe Lila, i cili është ende i dëmtuar, por rrezikon që të mos luajë deri në fund të këtij sezoni. Sakaq, e ardhmja e lojtarit duket gjithmonë e më e paqartë.