Lenjani në formacion të javës

Paraqitja e shkëlqyer e Ermir Lenjani-t në ndeshjen e parë me Nantes i garantoi mbrojtësit shqiptar një vend në ekipin më të mirë të javës në Ligue 1.

Kuqeziu u përfshi në formacionin ideal nga mediat më prestigjoze në Francë. Duke nisur nga e përditshmja më e madhe sportive, “L’Equipe”, që e rreshtoi në krahun e majtë, në një repart difensiv përkrah emrave Thiago Silva i Paris Saint Germain, veterani i Bastia, Squillaci edhe shokun e skuadrës te Nantes, mbrojtësin e djathtë Leo Dubois.

“Liberation”, një tjetër e përditshme e madhe, në formacionin e saj ideal kishte mendim të shumë të ndryshëm nga “L’Equipe”, ndërsa Lenjani ishte një prej pak të përbashkëtave.

Kuqeziu 26-vjeçar ishte mbrojtësi i majtë më i mirë i javës së tretë të kampionatit.

“Brilant me fanellën e Kombëtares shqiptare dhe këtë e provoi vetë Franca. Lenjani nuk luajti për Rennes vitin e kaluar. Papritmas u transferua te armiqtë e Nantes. Ndeshja e parë kundër Reims, aktivizimi i parë si titullar dhe goli i parë. Aspak keq si ambientim”, shkruante gazeta “Liberation”.

Pas rikthimit në maja të Ermir Lenjanit, mediat franceze nuk kanë dyshim: shqiptari do të shkëlqejë edhe në sfidën e javës së katërt përballë Bordeaux.

 

Lenjani-iii-658x491