Lëndohen rëndë dy lojtarë të Trepçës, ndërpritet ndeshja me Prishtinën

Derbi në mes të Trepçës dhe Prishtinës në hendboll është ndëprerë për shkaqe humanitare.

Dy lojtarë të Trepçës kanë pësuar lëndime të rënda nga një përplasje mes tyre dhe më pas është vendosur të ndërpritet ndeshja, që nisi të shtunën në ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Të dy klubet janë pajtuar që ndeshja të ndërpritet dhe të vazhdojë një ditë tjetër. Ndeshja është ndërprerë në minutën e 11-të kur rezultati ishte 5:2 në të mirë të Prishtinës.

Gjatë lojës Vaglir Buqinca e Alban Shabani kanë pasur një përplasje në mes vete dhe kanë pësuar lëndime të rënda. Të dy janë dërguar në spital, ndërsa është raportuar që gjendja e tyre është më e mirë. Të dy lojtarëve u është kthyer vetëdija në spital.

Në një situatë të tillë ndeshja e humbi kuptimin dhe u mor vendimi që ajo të vazhdojë një ditë tjetër.

Federata e Hendbollit u dëshiron shërim të shpejtë të dy lojtarëve dhe kthim të suksesshëm në lojën e hendbollit.