Legjenda Ferguson del nga koma

Sër Aleks Ferguson ka dalë nga koma dhe po tregon sinjale të para premtuese riaftësimi pas një operacioni urgjent si pasojë e një hemorragjie cerebrale.

Trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit britanik vazhdon të jetë në reanimacion, por sipas mediave angleze, ka filluar të komunikojë me familjarët dhe miqtë e tij që e kanë vizituar gjatë të hënës.

Të njëjtat burime tregojnë se përgjigja e 76-vjeçarit pas operacionit dhe trajtimit mjekësor ka qenë premtuese dhe ka një optimizëm të dukshëm nga personat përreth tij se do të arrijë të kalojë këtë moment të vështirë. Megjithatë, parashikohet që riaftësimi i tij të jetë i gjatë, pasi situata nuk ka qenë aspak e lehtë.

Lajmi se Ferguson kishte pësuar hemorragji cerebrale dhe ishte shtruar në spital për një operacion urgjent, tronditi sportdashësit në të gjithë botën, pasi Sër Aleks është një legjendë për të gjithë ata që kanë ndjekur futbollin në dekadat e fundit. Skocezi fitoi 38 trofe gjatë 26 viteve të tij në drejtimin e Mançester Junajtid.