Latifi “show”, kemi një superlojtar

Barazimi në Kazakistan ka kënaqur gjithë Korçën, por presidenti Ardian Takaj është i lumtur edhe për një arsye tjetër: Liridoni po mahnit!

Skënderbeu i djeshëm ishte fantastik, nuk ka nevojë të zgjatemi me komente e elozhe të tepërta. Kairati ishte i frikshëm dhe mbetet i tillë, për emrat që ka dhe faktin që është në kulmin e sezonit, por asgjë nga këto nuk u pa në fushë.

Trajneri Daja kishte hedhur në fushë një skuadër mjaft solide, të organizuar dhe të vendosur në mënyrë perfekte, a thua se kishte vite që ndeshej me Kairatin dhe ia njihte çdo difekt.

latifiii

Detaj tjetër, dhe këtu nuk ka meritë vetëm Daja: Skënderbeu luajti me qetësinë e një skuadre me petk ndërkombëtar, nga ato që shkojnë çdo vit në grupet e Champions apo Europa League. As goli i pësuar shpejt nuk i shqetësoi korçarët dhe ky ishte sinjali se bëhet fjalë për një skuadër profesioniste sidomos në mendim. Ndoshta grupet janë tepër larg për korçarët këtë sezon, por nëse vazhdon në këtë rrugë, herët a vonë edhe grupet do të kthehen në zakon.

NJERIU I NDESHJES – Pa dyshim, Liridon Latifi ishte i mrekullueshëm, duke luajtur një ndër ndeshjet më të mira në karrierë. Ishte perfekt edhe në turin e shkuar, por është tjetër gjë të marrësh me shpulla San Zhulian e vogël dhe krejt ndryshe të dhurosh spektakël në mes të Kazakistanit, ose në Kinë, praktikisht, mijëra kilometra larg Shqipërisë.

liridon latifi

Kairati ka në përbërje një si Andrej Arshavin, që është mit në Rusi dhe ka shkelur praktikisht çdo stadium të madh në Europë në ndeshje për Ligën e Kampioneve, atë të vërtetën, jo në turet kualifikuese. Edhe rusi tentoi, vrapoi, tribloi e gjuajti, por dje dukej qartë që Latifi ishte më mirë, më i shpejtë e më shpërthyes, i ftohtë akull dhe mbi të gjitha i uritur si kurrë më parë. E kërkoi golin nga çdo pozicion, i futi drithërimat Kairatit, derisa gatoi golin e Bakari Nimagës. Më shumë se kaq, nuk kanë ç’ti kërkojnë Latifit në Korçë.

TAKAJ – Ishte i lumtur pas ndeshjes presidenti Ardian Takaj. “Super ndeshje, por nuk ka mbaruar asgjë”, shkruan shkurt në telefonin e tij, kur e pyet si ndihet, por nga brenda është vullkan. Verën e shkuar vuajti shumë, këtë verë po ashtu, sepse i hoqën titullin e vjetshëm dhe nuk është shëruar ende plaga e ndeshjes së majit në Kukës, aty ku u vra edhe një kampionat tjetër i mundshëm për ish-kampionët.

Latifi

E megjithatë, Takaj e ka rigjetur buzëqeshjen. Puron tipike nuk e ndan nga dora, por ka raste që e përdor për të larguar dëshpërimin dhe ka raste kur e përdor thjesht për zbukurim, për qejf. Dje ishte rasti i dytë.

Një arsye e madhe pse Takaj ishte i lumtur quhej “Latifi”. Mesfushori dje ishte i vëzhguari i madh: kalim provimi me nota maksimale. Nëse klubet ruse, që kanë miliona, kishin ende ndonjë dyshim, Latifi u tregoi se ato që bën në Superiore i bën edhe jashtë saj, edhe me kazakët e frikshëm. Është edhe ndeshja e kthimit, por me shumë mundësi këto ditë Takaj do të bisedojë me disa klube. Kush e do Latifin, nuk duhet të presë kthimin në Korçë, sepse nuk i dihet, bën ndonjë gol Latifi dhe shtohen edhe 100.000 euro në kërkesat e Takajt.

Në stadium, shumë menaxherë e vëzhgues

Përballja e Skënderbeut dje në Almati është ndjekur nga shumë menaxherë futbollistësh, ndërmjetës e vëzhgues klubesh, të interesuar për të parë në veprim si lojtarë të Kairatit, ashtu edhe të Skënderbeut. Te Kairati janë disa lojtarë shumë interesantë, duke nisur nga sulmuesi i cili na shënoi, Gohu, ndërkohë që në Rusi flitet se Andrej Arshavin mund të kthehet në Rusi dhe Zeniti interesohet për ta kthyer në shtëpi, gjithnjë nëse Arshavin vazhdon të shkëlqejë, si ka bërë që kur ka shkelur në Almati.

Ndërkaq, Skënderbeu kishte në vitrinë të paktën një futbollist: Liridon Latifin. Shkumbin Qormemeti po mundohet t’i gjejë një klub të mirë, që t’i garantojë një të ardhme të ndritur, por edhe të paguajë një shifër që do të kënaqë Skënderbeun. Latifi e bëri të vetën, ndaj menaxherët e shumtë nga Rusia, por edhe drejtuesit e FC Astanas, kanë mbajtur shënim.