Latifi firmos sot, zëvendësi i tij te Skënderbeu është super-talenti nga Kosova

Liridon Latifi e mbyll sot përfundimisht me klubin hungarez, pa qenë nevoja që të shkojë në Hungari. Skënderbeu i ka bërë mirë llogaritë, pasuesi është gjetur tashmë

Skënderbeu bën goditje të forta në treg, në dalje e në hyrje.

Nëse tashmë është konfirmuar largimi i Liridon Latifit, klubi korçar nuk rri duarkryq, sepse krahas punës për ndeshjet kualifikuese në Europa League, punohet me ritme të larta edhe për merkaton. Klubi e ka kuptuar me kohë që rruga e duhur për të ardhmen e sigurt është investimi te të rinjtë. Ikën Latifi, një supertalent, por të tjerë do të vijnë, duke nisur nga Suad Sahiti, djaloshi nga Prishtina, i cili prej disa vitesh aktivizohet me sukses në Maqedoni, te Rabotniçki.

LATIFI FIRMOS SOT – Kishte mbyllur gjithçka në Hungari, një surprizë për të gjithë, por firma niuk ishte hedhur ende. Megjithatë, pas përgjigjeve të kontrolleve mjekësore dhe arritjes totale të marrëveshjes, si mes dy klubeve, ashtu edhe mes klubit e lojtarit, Latifi sot do të firmosë, duke përfunduar gjithçka në Korçë, pa qenë nevoja të niset sërish për në Hungari. Klubi i tij i ardhshëm, Pushkash, që dje arriti fitoren e parë në kampionat, 2-1 kundër Balmazújvároshit, ka dërguar kontratën, që Latifi do ta firmosë dhe do të nisë mbrapsht. Më pas, talenti i kombëtares sonë do të përqendrohet tërësisht te ndeshja kundrë Dinamos, me objektivin për t’u larguar me një dhuratë të bukur, duke e ndihmuar Skënderbeun të hyjë në histori, duke shkuar në grupet e Europa League për herë të dytë, por si kurrë më parë, një klub shqiptar do të kalonte 4 rivalë në kupat e Europës.

PASUESI ËSHTË SUAD SAHITI – Kishte shumë spekulime këtë verë në lidhje me pasuesin e Liridon Latifit, por Skënderbeu ka punuar në heshtje dhe deri tani nuk kishte dalë mirë në skenë emri i Suad Sahitit. Mesfushori 22-vjeçar nga Prishtina luan prej vitit 2014 në Maqedoni, te Rabotniçi, ku është bërë i rëndësishëm dhe ka fituar goxha eksperiencë. Plot 75 ndeshje në 3 vite, me 9 gola e shumë asiste, si dhe aftësi për të luajtur në disa pozicione në fushë. Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë. Sahiti në të shkuarën ka qenë edhe në fokusin e kombëtares maqedonase, që e pajisi me pasaportë, për të luajtur me përfaqësuesen U-21, por më pas kjo nuk ndodhi. Këtë verë Sahiti shënoi një gol në Europa League, duke luajtur 4 ndeshje për Rabotniçkin, ndërsa tani vjen kalimi në Korçë, një hap përpara për mesfushorin e talentuar. Sahiti te Skënderbeu është një operacion me “targën” Shkumbin Qormemeti, menaxheri i tij, natyrisht vendimtar për transferimin në Korçë.

MARRËVESHJA, SKËNDERBEU ÇON DY LOJTARË NË MAQEDONI – “Sport Ekspres” mëson se Skënderbeu ka arritur marrëveshjen me Rabotniçkin maqedonas, duke e bindur të lëshojë Sahitin, që sapo kishte nisur vitin e fundit të kontratës. Për 22-vjeçarin Skënderbeu do t’i japë Rabotniçkit dy lojtarë në huazim: brazilianin Serzhinjo, i cili në pjesën e dytë të sezonit të shkuar luajti me Laçin, si dhe sulmuesin nigerian Xhofri Çinedu Çarls (17 ndeshje e 1 gol), i cili prej shkurtit u huazua te Besa e Kavajës (7 ndeshje e 1 gol). Pas afrikanit Demte, për të cilin flitet mjaft mirë, tashmë drejtuesit e Skënderbeut kanë mbyllur marrëveshjen për një tjetër mesfushor që mendohet të jetë jo vetëm zëvendësuesi i Latifit në fushë, por ndoshta pas një viti mund të hapet rruga edhe për të që të shkojë në kampionat më të rëndësishëm.