Latifaj sqarohet për komentin skandaloz: Bëra humor!

Gazeta Olle raportoi gjatë ditës për një koment shqetësues të Atdhetar Latifajt, i cili në sezonin e kaluar ishte futbollist i Kikës së Hogoshtit.

Ai kërcënoi përmes një komenti tifozët e Sharrit, skuadër kjo që u ballafaqua me Kikën në fundjavë.

“Hej, ju Sharri ishalla s’vini kurrë se e shihni çka ka me ju gjetë”, ka shkruar Latifaj në një koment në rrjetet sociale, duke e shtuar edhe një “thikë” përmes figurave.

Megjithatë, Latifaj ka dërguar një sqarim në adresë të gazetës, duke thënë se “komentoi duke bërë shaka”.

“Dua të sqarohem me opinionin se komenti im ishte në suaza të humorit”.

“Nuk ka pas kurrfarë qëllimi ndaj kundërshtarëve. Unë tani nuk jam më lojtar i Kikës”, u shpreh Latifaj.

Kjo nuk është hera e parë që futbollistët kosovarë, sidomos ata të skuadrave të rangjeve më të ulëta, përdorin gjuhë nxitëse në rrjetet sociale.

Komentin e Latifajt e ka arsyetuar edhe Kika përmes një njoftimi për shtyp, duke theksuar se Latifaj e ka mik personin që e kërcënoi! /Gazeta Olle/