Largimet, përforcimet, akuzat e Ramiz Krasniqit, xhirollogaria, borxhet, Evropa, rrëfehet Afrim Muçiqi

Për dallim nga vitet e kaluara kur Prishtina e ka thënë fjalën kryesore sa i përket përforcimeve, në këtë verë po ndodh e kundërta. Prishtina po përballet me largime të futbollistëve, por jo edhe transfere.

Kujtojmë se po flitet me të madhe se ky do të jetë kampionatit i fundit kur skuadrat kosovare do të jenë të izoluara.

Ndryshe, Prishtina është përballur edhe me problemin e pagesave të futbollistëve, ndërkohë që ditën e djeshme është thënë se klubit i është bllokuar xhirollogaria bankare. Pati akuza në drejtimin të kryesisë ditë më parë edhe nga trajneri Ramiz Krasniqi, i cili tha ka mbetur i befasuar me neglizhencën e kryesisë duke aluduar në transfere.

Për të gjitha këto, flet në një intervistë për Gazetaolle.com, nënkryetari i klubit, Afrim Muçiqi.

Si po e pret Prishtina edicionin e ri?

Muçiqi: Si çdo edicion tjetër, me ambicie të qarta për kreun e tabelës dhe Kupën e Kosovës.

Prishtina është përballur me largime por jo edhe transfere, pse po  ndodh një gjë e tillë?

Muçiqi: Unë mendoj se fokusimi i jonë do të jetë në ripërtrirjen e ekipit. Sigurisht se ata që janë larguar, kanë gjetur kushte më të mira sepse janë në fund të karrierës. Prishtina punon me program më ndryshe se klubet tjera. Synojmë të kemi një ekip për lakmi për 3-4 vitet e ardhshme.

Ditë më parë Ramiz Krasniqi tha se është i befasuar me neglizhencës totale të kryesisë. Ai aludoi në transfere?

Muçiqi: Normale që edhe trajneri është i shqetësuar, sepse është bërë bum medialm për përforcimet e Prishtinës.

Klubi jonë nuk identifikohet me 2-3 individë. Lojtarët e shohin interesin në plan të parë. Në Kosovë lojtarët nuk lidhen për klubin sikurse në Evropë, kur nuk lëvizin për pak para. Te na është e kundërta.

Ata që duan klubin do të qëndrojnë në klub dhe do ta bartin barrën në klub. ‘Mizi’ (Ramiz Krasniqi) ka bërë një punë të madhe. Është meritë e tij që në 3-4 vitet e fundit i ka nxjerrë krejt këta lojtarë që sot po bëjnë emër. Është meritë vetëm e tij, ne besojmë fuqishëm se për 3-4 vite do ta bëjë një ekip të madh, me këta lojtarë të rinjë.

Afrim, po flitet se është edicioni i daljes në arenën ndërkombëtare, të klubeve kosovare, pse deri tash klubi ka investuar e pikërisht në këtë vit nuk po ka lëvizje?

Muçiqi: Unë jam i sigurt që do të dalim në Evropë. Nuk është kriter që patjetër me dal i pari.

Klubi duhet të privatizohet, duhet të ketë një infrastrukturë. Nuk shkohet në Evropë pa fushë, pa shkollë të futbollit etj. Ne jemi përgatitur për Evropë, jo perfekt por kemi bërë një punë. Kush mendon se Prishtina nuk është gati, është gabim. Ne e kemi një filozofi tjetër nga klubet e tjera. Shohim pa më ndryshe.

A mendoni se Prishtina mund ta arrijë titullin me këtë fond të futbollistëve, është larguar ‘ajka’ e ekipit?

Muçiqi: 101 për qind.

Është folur dje për bllokimin e xhirollogarisë, keni ndonjë koment?

Muçiqi: Nuk ka në këtë drejtim asgjë. E kemi regjistruar klubin si shoqëri aksionare, por kemi pasur humbje sikurse çdo klub tjetër. Dihet se këtu te ne punohet me humbje.

A i ka klubi borxh futbollistëve?

Muçiqi: I kemi dy rroga borxh, por para fillimi të kampionatit do të pastrohen të gjitha.  Dihet se është kohë e pushimeve dhe jo të gjithë anëtarët e kryesisë janë në Kosovë.

Diçka për fund?

Muçiqi: Uroj që ky kampionat të na nxjerrë në Evropë.