Lajme të mira për Skënderbeun: Vjen trajneri i ri së bashku me dy futbollistë

Ilir Daja mund të jetë trajneri i ri i Skënderbeut. Pas vendimit të Takajt (në koordinim me FSHF-në) për të qëndruar në Superiore me skuadrën bardhekuqe, pritet që tekniku tiranas të marrë zyrtarisht drejtimin e 8 herë kampionëve të Shqipërisë.

Në fund të sezonit ishte pikërisht Daja favoriti për të zëvendësuar Shehin e larguar, por për shkak të vendimit që pritej në KAS, gjërat u zvarritën dhe në fund pati paqartësi totale.

Pas kësaj u fut në lojë Kukësi për trajnerin e mirënjohur, pasi donte që të zëvendësonte Gjokën me një tjetër trajner ekspert. Në fund, Daja nuk e arriti marrëveshjen me verilindorët dhe mbeti sërish një trajner i lirë. Ai nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për Skënderbeun dhe Korçën, shkruan panoramasport.

MESFUSHA

Duke parë problemet në ndërtimin e lojës në sezonin e kaluar, si dhe largimet e Pervan e të Sibos, të cilët ishin të huazuar te Skënderbeu, korçarët janë duke kërkuar një lojtar që të jetë vendimtar në ndërtimin e lojës së bardhekuqve.

Sytë janë të përqendruar në Ballkan, kryesisht te lojtarët që për momentin janë pa kontratë me ndonjë klub tjetër.

I tillë është rasti i Nikola Jelisiç, 24-vjeçarit nga Bosnja dhe Hercegovina që mund të jetë organizatori i zgjedhur nga Ardjan Takaj për sezonin e ri. Jelisiç ka luajtur gjithmonë në kategoritë inferiore gjermane dhe luan si një trekuartist.

SULMI

Nëse Krasniqi dhe Oto Xhon kanë konfirmuar qëndrimin e tyre te Skënderbeu, duket se klubi nuk dëshiron që të përjetojë të njëjtën “shterpësi” goli që i përndoqi gjatë gjithë sezonit të kaluar.

Për këtë arsye, një tjetër element në sulm do t’i bënte punë ekipit për të rritur cilësinë, por mbi të gjitha rivalitetin në këtë repart. Piketat këtë herë janë hedhur në Maqedoninë e Veriut, atje ku Aleksandar Stankov duket se është sulmuesi i përzgjedhur.

Me një karrierë të pasur, Stankov konsiderohet një element i rëndësishëm për Skënderbeun. Ai ka luajtur kryesisht në Danimarkë dhe mund të jetë një lojtar me vlerë për bardhekuqtë.