Lajm i mirë për Sknderbeun

Bëri bujë të enjten lajmi i përhapur se ambasada angleze në Athinë bllokoi Skënderbeun, duke mos u dhënë viza për të udhëtuar drejt Belfastit të Irlandës së Veriut, ku të martën kampionët tanë do të ndeshen me skuadrën vendase të Crusaders, për turin e dytë të Champions League.

Megjithatë, tashmë gjithçka është zgjidhur, sepse klubi korçar ka arritur të sigurojë vizat, edhe me ndërhyrjen e UEFA-s, që është interesuar për këtë histori.Korçarët kishin bërë aplikimin “on line” në zyrat e Athinës, sepse atje ka zyrë konsullore për t’u pajisur sa më shpejt me viza udhëtimi drejt ishullit britanik.

Megjithatë, nëse skuadra është pajisur me viza, probleme ka për tifozët që kanë dashur të udhëtojnë në mbështetje të skuadrës, pasi Anglia nuk bën pjesë në zonën Shengen të vizave dhe aplikimi për gjithë qytetarët shqiptarë nuk duhet të bëhet në ambasadën britanike në Athinë.

Me shumë mundësi, Skënderbeu do të luajë në Belfast pa asnjë tifoz nga Shqipëria me vete.