Ky lajm do t’i gëzojë tifozët e Besës së Pejës

Lajme të mira për Besën dhe legjendën e klubit pejan, Valmir Bytyqin.

Pas një lëndimi që e kishte pësuar para një muaji, portieri pejan do të nis stërvitjet të hënën për tu përgatitur për sezonin e ri që do të nis me 20 gusht.

Lajmin  e ka konfirmuar për Infokusi, ‘gardiani’ i pejanëve.

“Të hënën kysmet filloj me stërvitë, por me stërvitje shumë të lehta. Rikuperimi do të shkoj gjatë, sipas mjekut diku edhe nja dy muaj nuk do të jem i gatshëm me ushtruar 100%”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka nënvizuar se pa dhënë lejen përfundimtare stafi mjekësor, nuk do të rrezikojë si dhe i ka falënderuar të gjithë për korrektësinë që kanë treguar ndaj tij.

“Jemi marrë vesh me kryesinë edhe me shefin e shtabit që të vijoj me ushtrime të lehta deri kur mjeku të jap sinjale pozitive dhe tek atëherë do të bisedojmë edhe njëherë se në çfarë forme do të jetë kontributi im në të ardhmen. Duhet me theksuar që Shkubim Gashi dhe anëtarët tjerë të kryesisë si dhe Gani Sejdiu kanë qenë shumë korrekt gjatë gjithë kohës dhe jemi marr vesh të veprojmë bashkërisht në të mirën time dhe të klubit”, tha Bytyqi, i cili ishte lënduar në stërvitje pas një dueli në ajër, e më pas ishte detyruar të futet në operacion, ku e ka humbur njërën veshkë.

Valmir Bytyqi, është legjendë e gjallë e Besës së Pejës dhe njëri ndër portierët më të mirë që ka pasur Kosova.

Bytyqi ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, ndërkaq me Besën e mban rekordin, ku brenda një stinori vjeshtor nuk kishte pranuar asnjë gol në ‘Shahin Haxhiislami’.

Bëhet fjalë për stinorin vjeshtor të kampionatit të fundit (2015/2016).