Ky klub nuk e lëshon lojtarin për Shqipëri, edhe pse ai është prezantuar atje

KF Gjilani, respektivisht Drejtori Sportiv i klubit, Agron Korça, ka konfirmuar për gazetën Sheshi se KF Gjilani nuk i ka dhënë fletëlëshimin Besnik Krasniqit, mbrojtësit i cili ka qenë i angazhuar nga KF Gjilani në këtë kampionat.

Sipas Korçës, Krasniqi kishte kërkuar fletëlëshim nga klubi në fillim të këtij viti, ndonëse kontrata e tij me KF Gjilanin është valide deri më 30 qershor 2016. Por, përkundër mungesës së fletëlëshimit, për Krasniqin është përfolur se ka arritur marrëveshje me Flamurtarin e Vlorës.

Korça deklaron se çfarëdo marrëveshje të cilën Krasniqi mund të ketë lidhur me cilindo klub për angazhimin e tij, ajo nuk mund të realizohet, ose në të kundërtën do KF Gjilani do të kërkojë dëmshpërblim. “KF Gjilani do të angazhojë avokatë dhe do të paraqesë ankesë në të gjitha organizatat, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA, konform rregulloreve përkatëse”, ka përfunduar Agron Korça, Drejtori Sportiv i KF Gjilanit./  Gazeta Sheshi