Ky është talentin 19 vjeçar i Dukagjinit të Klinës (FOTO)

Dukagjini i Klinës, vatër e talenteve të futbollit në vitet e fundit. Pas Altin Merlakut e Met Millakut, edhe një emër i ri ka lindur në Klinë e që shumë shpejt pritet të jetë emër i njohur i futbollit kosovar.

Bëhet fjalë për Arbnor Gashin, cili në dy ndeshjet e fundit të Dukagjinit, ka qenë vendimtarë, duke shënuar tre gola.

Ai shënoi dy gola në fitoren 2:1 si mysafir të Beharit, ndërkaq të mërkurën, Gashi realizoi golin e vetëm në fitoren kundër Vitisë, fitore që e dërgon skuadrën nga Klina në vendin e tretë dhe me gjasa reale që të hyjë në barazh për të kërkuar pastaj inkuadrimin në Superligë.

Arbnor Gashi, është 19 vjeçar, pozita e tij e preferuar është mesfushor i krahut të djathtë, por ka luajtur edhe në disa pozita tjera, për ta ndihmuar skuadrën.

Në një prononcim për Infokusi.com, Gashi është shprehur i lumtur me formën që po kalon dhe ka treguar se kush i ka dhënë në një moshë kaq të re.

“Kam besuar dhe krejt këtë e kam arritur me punë. Jam ftuar në ekipin e parë nga trajneri Idriz Elezaj më herët, por me ardhjen e Severin Elezajt, më është dhënë më shumë hapësir. Kemi një ekip dhe një staf të mirë që mund të hyjmë në Superligë”, u shpreh Gashi.

Ai ka edhe një ëndërr që pret ti bëhet realitet.

“Ëndrra ime është që të hyjmë me Dukagjinin në Superligë, e në të ardhmen të luaj për ekipin tim të zemrës, Milanin”, deklaroi talenti nga Klina.

Gashi deri me tani, ka shënuar 5 gola në këtë sezon, ndërkaq është bërë pjesë e ekipit të parë që nga fillimi i kampionatit.